Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përgjatë fushatës parazgjedhore të 2019-ës, zgjodhi të shkonte në vizitë tek hoxha Osman Musliu dhe ta tregonte “thjeshtësinë e tij”, duke ngrënë pasul. Kurti tash ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Partinë Socialdemokrate të Zvicrës që do t’i ndihmojnë njëra-tjetrës nëpër fushata elektorale, bashkëpresidenti i së cilës pati ndezur një cigare marijuanë në podium në 2008-ën, përgjatë një takimi me delegatë të partisë së tij.

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar në janar të këtij viti se ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me PS-në zvicerane, sipas të cilëve, bashkëpunimi “do të jetë në nivel të organizimit, politikës së jashtme, udhëheqjes dhe diasporës”, shkruan Demokracia.com

“Bashkëpunimi mes dy partive tona do të jetë në nivel të organizimit, politikës së jashtme, udhëheqjes, dhe diasporës. Do të ndajmë dije dhe përvojë që lidhen me këto fusha njëherazi duke synuar politika promovuese dhe zhvillimore mes dy vendeve tona në ekonomi, përfshirje më të madhe të diasporës në jetën politike dhe institucionale, përshpejtim të proceseve integruese në institucione të BE-së, dhe mbështetje të ndërsjellë për zgjedhjet nacionale në të dy vendet ton”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Kurti ia bëri rrogëtarin VV-së përgjatë vizitës së tij zyrtare në Zvicër në cilësinë e kryeministrit, duke e nënshkruar këtë memorandum, i ftuar për pjesëmarrje në Forumin Botëror Ekonomik.

“Cédric [kryetari i Partisë Socialdemokrate të Zvicrës] është një mik i mirë i imi. Partitë tona i përkasin të njëjtës familje ideologjike. Prandaj, të enjten do të nënshkruajmë një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për vitin 2023 deri në 2025 mes dy palëve tona. Do të bëhet fjalë për dialog politik, ndihmë zhvillimore, biznes, arsim, por edhe bashkëpunim në zgjedhje. Sepse ne kemi shumë kosovarë në Zvicër që janë anëtarë të PS-së dhe njëkohësisht të partisë sime Vetëvendosje. Ne duam të ndihmojmë njëri-tjetrin me fushata”, deklaronte i pari i VV-së për të përditshmen zvicerane ‘Blick’, një ditë përpara nënshkrimit të memorandumit.

Kurti vendosi të bashkëpunojë me Wermuth, personi i cili në paraqitjet e tij publike kundërshton qasjen nacionaliste në politikë dhe përkrahë politikat e majta. Wermuth pati ndezur një cigare marijuanë në përkrahje të fushatës për legalizimin e saj në podium përpara bashkëpartiakëve të tij.

Ani pse bashkëpunon me persona me bindje liberale, Kurti nëpër fushata është parë duke flirtuar edhe me figura të religjionit e me bindje konservatore. I pari i VV-së më 2019-ën pati pozuar duke ngrënë pasul me hoxhën Musliu në Drenicë.

Kurti, një ateist i përbetuar, për hir të zgjerimit të elektoratit, në deklarimet e tij publike “ushqente” komunitetin religjioz në Kosovë. Për t’i zbehur bindjet e tij agnostike, Kurti e pati anëtarësuar në parti edhe teologun Mustafë Bajrami, pak para zgjedhjeve të 14 shkurtit të 2021-ës.

Wermuth e pati paraqitur VV-në si parti jo-nacionaliste, duke ia rrëzuar kauzën më të madhe me të cilën erdhi në pushtet – bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

“Programi i partisë parasheh të drejtën e Kosovës për vetëvendosje, jo bashkim me Shqipërinë. Edhe ne qëndrojmë pas kësaj”, deklaronte ai për NP-në zvicerane.

Kreu i PSD-së zvicerane, në periudhën kur Kurti dhe Vuçiq shkaktonin kaos në veri, e përkrahte këtë të parin.

Kosova është shtet sovran. Aleksandër Vuçiq, qëndro jashtë kësaj! BE-ja duhet të ndalojë menjëherë politikën e saj të dështuar qetësuese ndaj kukullës së Putinit në Serbi dhe të vendosë një vijë të kuqe. Qëndroni me #Kosovën!”, kishte shkruar ai në ‘Twitter’.