Kurti mbron planin franko-gjerman në Kuvendin e Kosovës, i jep merita vetes për avancimin e dialogut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe në lidhje me planin franko-gjerman.

Kurti në fjalën e tij provoi të tregonte se propozimi franko-gjerman, që ishte rrjedhojë e kornizës së përgjithshme, ishte rezultat i presionit të bërë nga Qeveria e saj.

“Josep Borrell për herë të parë në më shumë se dymbëdhjetë vjet dialog e bëri hapin e madh më 18 gusht të vitit të kaluar. Për herë të parë u vendos korniza e përgjithshme e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë… takimi i datës 18 gusht ishte qartazi rezultat i presionit të Qeverisë tonë.”, u shpreh ai.

Më pas, ai shpjegoi edhe hapat e mëtejmë në verën e vitit të kaluar.

“Më 9 shtator 2022 erdhën dy emisarë të lartë në Prishtinë. Ata prezantuan para meje një propozim të bazuar në njohjen de fakto. Emisarët dhe lehtësuesi i dialogut më kërkuan që të respektoj dy parime procedurale… 1) respektimin e parimit të konfidencialitetit; 2) që ta konsideroja atë seriozisht, në kuptimin që refuzimi i tij do të ndikonte në marrëdhëniet e Kosovës me shtetet sponsorizuese (Francën dhe Gjermaninë)” , tha Kurti.

Kurti tha se kishte kuptuar që propozimi franko-gjerman bazohej në modelin gjermano-gjerman, që ngërthente njohjen de fakto. Përveç kësaj, ai përmendi se ky propozim ngërthente në vete edhe barazinë mes shteteve.

Më pas,  Kurti përmendi edhe të tjera pika duke e mbrojtur propozimin në fjalë.

Kryeministri në vazhdim tregoi edhe për komentet që i kishte bërë në lidhje me këtë propozim, duke përmendur mes tjerash edhe detyrimin për të arritur më pas edhe një marrëveshje finale.

Si aspekt problematik ai përmendi detyrimin për të respektuar e zbatuar marrëveshjet e mëparshme.

Më pas, kryeministri u shpreh se kishte marrë edhe një draft tjetër të propozimit franko-gjerman, duke treguar se ai ishte bërë afër formës “merre ose lëre”.

“Plani nuk ka asnjë referencë me Asociacionin, megjithëse përmendet detyrimi për zbatimin e marrëveshjeve të kaluara.”

Kurti përmendi sërish që Asociacioni mund të konsiderohej në rast se përmbusheshin gjashtë pikat e paraqitura prej tij në një seancë të mëhershme.