Kurti lehtëson procedurat për mjekët nga diaspora, ky është vendimi që mori Qeveria

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës sot është marrë vendimi që mjekët nga mërgata të lirohen nga obligimi për pajisje me Leje Pune Afatshkurtër për të punuar në Kosovë, me kërkesë të institucioneve shëndetësore në Kosovë.

Sipas njoftimit, pas licencimit nga Ministria e Shëndetësisë, profesionistët nga mërgata mund të angazhohen në Kosovë nga 90 ditë brenda çdo periudhe prej 180 ditëve në një vit.

“U miratua vendimi për lirim nga obligimi për pajisje me Leje Pune Afatshkurtër për profesionistët shëndetësorë nga mërgata, të cilët me kërkesë të institucioneve shëndetësore të Republikës së Kosovës, angazhohen përkohësisht në këto institucione. Pas licencimit nga Ministria e Shëndetësisë, këta profesionistë shëndetësorë mund të angazhohen në institucionet shëndetësore të Republikës së Kosovës për një periudhë deri në 90 ditë brenda çdo periudhe prej 180 ditëve në një vit”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, sipas njoftimit, për angazhime më të gjata, ata duhet të fillojnë procedurën e pajisjes me leje qëndrimi sipas legjislacionit në fuqi për të huajt.

“Po ashtu, është miratuar Udhëzimi Administrativ për licencimin e Profesionistëve Shëndetësorë të Huaj në Republikën e Kosovës. Me këtë Udhëzim Administrativ rregullohet procedura dhe kushtet e marrjes së licencës të profesionistit shëndetësor të huaj për ofrimin e kujdesit shëndetësor. Udhëzimi administrativ do të lehtësoj angazhimin e profesionistëve të huaj shëndetësor në ofrimin e shërbimeve në sistemin tonë shëndetësor”, thuhet në fund.