Kurti kundër Tribunalit ndërkombëtar për gjenocidin serb – i shërben Serbisë

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka dalë kundër idesë për Tribunalin Ndërkombëtar për Gjenocidin serb në Kosovë.

Kurti e ka cilësuar këtë ide të kryeparlamentarit si të ngutshme, dhe ka thënë se formimi i një tribunali të tillë do të merrte disa vjet kohë.

“Gjykata Speciale ka marrë kohë 4 vjet dhe ka bashkëpuntor shtetin e Holandës, ne nuk e kemi askënd. Nuk mund ta quajmë Tribunal Ndërkombëtar kur po e krijon vetëm Kosova. Formimi i këtij tribunali do të na merrte disa vjet kohë, pra është proces i ngadalshëm. Nëse dëshironi proces të shpejtë, atëherë le ta votojmë në lexim të dytë ligjin për gjykim në mungesë dhe prokurorët le të punojnë pastaj”, ka thënë Kurti, përcjell Ballkani.info.

Kurti madje ka thënë se Tribunali ndërkombëtar vetëm i jep kohë Serbisë dhe se Kosova i ka ligjet në fuqi, vetëm se prokurorët duhet të punojnë.

“Tribunali ndërkombëtar është vonim”, ka thënë ai, teksa ka folur se kjo iniciativë duhet të ndodhë vetëm në Kosovë, përmes gjykatave tona.

Në fund, Kurti ka thënë se përderisa tani për tani Kosova ka vetëm tre prokurorë që i ndjekin krimet e luftës, ka propozuar që ky numër të rritet në 30. /Ballkani.info