Kurti krahason zgjedhjet e 14 shkurtit me referendumin e 1991-s

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka krahasuar zgjedhjet e 14 shkurtit me referendumin e 1991-s kur populli votoi pro shpalljes së Kosovës shtet të pavarur nga Jugosllavia.

“Në vitin 1991 ne kishim referendumin për pavarësi. Atëherë dolëm Krejt dhe vendosëm Drejt duke votuar masivisht për pavarësinë e vendit sepse e dinim vlerën e secilës votë. 30 vjet më vonë jemi përballë një referendumi të dytë për të vendosur për të ardhmen tonë”, ka thënë Kurti në një video të postuar në Facebook.

Kandidati i VV-së për kryeministër ka thënë se “dy dekada të keq-qeverisjes me dështime e me korrupsion, pa punë e pa drejtësi, duhet të marrin fund me 14 shkurt që ta kthejmë zhvillimin e ta bëjmë progresin”.

Kurti kandidon për kryeministër edhe pse nuk i është lejuar të kandidojë për deputet për shkak të veprës penale të kryer brenda periudhës trivjeçare, që është kusht për lejim për kandidim.