Kurti: Kosova është shkatërruar nga papunësia dhe korrupsioni, do t’i japim fund kësaj

Fituesi i zgjedhjeve legjislative të 14 shkurtit në Kosovë, Albin Kurti ka deklaruar se Kosova është shkatërruar nga papunësia dhe korrupsioni.

Kurti duke folur për “Le Temps” se si synon të transformojë vendin e tij, ka thënë se Qeveria e tij do t’i jep fund korrupsionit dhe papunësisë.

“Ne kemi dy përparësi, punën dhe drejtësinë. Kosova është shkatërruar nga papunësia dhe korrupsioni. Ne kemi nevojë për investime, por asgjë nuk mund të ndodhë pa një luftë të vendosur kundër korrupsionit. Kur isha kryeministër, nisa operacione për verifikimin e administrates së lartë. Tani do ta rifillojmë këtë punë, si edhe do të kalojmë ligjin antimafia. Sidoqoftë, gjatë kohës që isha në detyrë, zbulova një fakt shumë inkurajues: korrupsioni është përqendruar në majën e shtetit, nuk është ndërfutur në të gjithë shoqërinë, ndryshe nga vendet e tjera në rajon. Kjo është edhe arsyeja pse njerëzit votuan për ndryshimin. Ne duam t’i japim fund një regjimi të vjetër ku elitat e korruptuara përqendrojnë pasurinë”, tha Kurti.

Kurti po ashtu ka përsëritur se diaspora është nafta e Kosovës, duke thënë se mbi 850 milionë euro në vit vijnë nga mërgimtarët.