Kurti kërkon dialog të brendshëm, para atij me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se para se të nisë takimet me palën serbe në kuadër të dialogut, duhet të ketë dialog të brendshëm me partitë opozitare.

Ka thënë se takimin e parë me palën serbe do ta zhvillojë në muajin qershor.

“Do të kemi një darkë pune me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, më 18 maj. Takimi më 11 maj s’mbahet sepse mbahen vetëm takimet kur pajtohemi të gjithë dhe e kemi lënë që takimi i tillë të mbahet dikur në muajin qershor. Ditë përpara asaj date do të njoftoheni. Temat e diskutimit mund të vijnë në shprehje vetëm kur të pajtohen dy palët. S’ka tema që janë të vetëm njërës palë. Kemi gjëra të tjera para se të arrijmë aty. E para është diskutimi i brendshëm me opozitë e edhe një lloj radiografie e gjendjes së dialogut në raport me Serbinë, përkitazi me procesin e deritashëm dhe marrëveshjet e arritura”, ka thënë ai në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.

“Ne nuk jemi Qeveri e cila zhvillon dialog me Serbinë pa e bërë dialogun në Kuvendin e Republikës”, ka thënë ai.

“Takimi që zhvillohet në Bruksel nuk është dialog me Serbinë. Do të jemi 6 liderë të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Në muajin maj nuk pritet takim e lëre më kapitull i ri i dialogut me Serbinë. Prioritet e kemi çështjen e programit qeverisës, duhet ta diskutojmë edhe në Kuvend. Gjatë muajit maj padyshim që do t’i zhvilloj takimet me kryetarët e partive opozitare. Duhet ta shoh agjendën se kur mund t’i zhvilloj sa më parë. Përgatitjet tona nuk i shohim vetëm si listë fituese, por i shohim si zyrtarë, si përfaqësues, si krerë shtetërorë të cilët janë të përgjegjshëm, por edhe e kanë detyrë që të krijojnë konsensus nacional për një çështje kaq të rëndësishme”, ka shtuar Kurti.