Kurti: Kërkojmë dorëheqjen e Qeverisë, e cila tashmë është tërhequr
Arsyeja kryesore për vonesën e liberalizimit të vizave është dështimi total për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, është shprehur kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë seancës së sotme të jashtëzakonshme të thirrur nga opozita.
Sipas tij, qytetari i Kosovës më shumë i ka gjasat të fitojë azilin politik, se sa heqjen e vizave.
“Në anën tjetër KDI dhe Transparence International Kosovën e kanë përdorur togfjalëshin, kapje e shtetit. Situata thonë nuk është vetëm korrupsion, sepse është kapje e shtetit. Kjo do të thotë se në Kosovë nuk mund të flitet korrupsion dhe krim të organizuar, sepse krimi është i istitucionacionalizuar, krimi i organizuar megjithatë ndodh jashtë strukturave shtetërore, ndërkaq në shtetin e kapur nuk ka më as krim të organizuar, as korrupsion, sepse ka krim të institucionalizuar”, tha ai.
Ai po ashtu ka thënë se liberalizimi i vizave nuk është prioritet i qytetarëve, por më shumë i qeveritarëve dhe ka kërkuar dorëheqjen e qeveritarëve, që sipas tij tani më janë tërhequr.
“Ne po kërkojmë dorëheqjen e qeverisë, e cila tash më është tërhequr, këtu janë 22 ulëse, nuk është as një ministër, i kemi pesë zëvndëskryeministra, kryeministrin dhe 23 ministra që bëjnë gjithsej 29. Prej 29 qeveritarëve asnjëri prej tyre nuk ndodhet në këtë seancë. Pra kemi një qeveri që tash më është tërhequr. Ne po kërkojmë dorëheqjen e një qeverie, të tërhequr, se Qeveria nuk është këtu”, ka përfunduar Kurti.