Kurti: Kemi pasur sindikalistë që janë rrahur dhe të tillë që kanë bërë marrëveshje me PAN-in në mes të fushatës zgjedhore

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka insistuar që ka nevojë për ndryshime në sindikata të punëtorëve në sektorin privat.

Sipas tij, sikur në sferën politike, ashtu edhe në sektorët e tjerë ka nevojë për ndryshime.

“Kemi qenë gjithmonë afër sindikatave, por duhet ta kuptojmë, që as dikur as sot, krerët e sindikatave nuk kanë qenë të njëjtë. Kemi pasur sindikalistë, që në kohën e privatizimit, ata u patën rrahur”, tha ai.

Në anën tjetër, thotë ai ka pasur kryesindikalistët kanë bërë marrëveshje me Qeverinë në mes të fushatës zgjedhore.

Ai thotë se edhe kryesindikalistët janë “hisedarë” për gjendjen në të cilën është arsimi dhe shëndetësia në Kosovë.

“Nuk ka pasë as sapun në shkolla dhe (sindikata) ka kërkuar rritje të pagave. Edhe ne duhet t’i kritikojnë ata… Sikur në sferën politike që ka pasë nevojë për ndryshime, ka nevojë edhe në sektorët e tjerë…Ne do të duhej të kishim sindikata të fuqishme edhe në sektorin privat dhe ne do të punojmë për këtë. Na nevojitet një dinamizëm sindikalist, jo jopolitik, por jopartiak. Për të hyrë në një fazë të re të zhvillim, nuk do të mundemi me frymën e vjetër”, tha ai në seancën e sotme të Kuvendit.