Kurti: Institucionet janë në koordinim për sigurinë kibernetike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se mbajtja e edicionit të pestë të samitit digjital të Ballkanit Perëndimor në Prishtinë, tregon gatishmërinë e Kosovës për bashkëpunim rajonal dhe digjitalizim.

Në konferencë për medie të mërkurën, gjatë këtij samiti, kreu qeveritar foli edhe për sulmet kibernetike në Kosovë.

Ai tha se të njëjtat kanë qenë karshi Qeverisë së Kosovës dhe Telekomit, të cilat sipas tij kanë reflektuar trafik ngulfatës dhe mosfunksionime të përkohshme.

Pas kësaj, ai tha se janë koordinuar tw gjitha institucionet përgjegjëse për të mbrojtur suksesshëm sistemin.

“Edhe tek ne kemi pasur sulme (kibernetike) të tilla, kemi pasur sulm ndaj qeverisë dhe telekomit. Sulmi ka qenë i llojit ‘didos’ i cili është reflektuar në trafik ngulfatës. Deri tash përveç që kemi pasur mosfunksionime të përkohshme nuk kemi pasoja të tjera. Por kjo nuk do të thotë që të mos përgatitemi për më keq se kaq. Andaj edhe ASHI dhe Ministria e Ekonomisë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe AKI janë në koordinim të ngushtë që të mbrohemi suksesshëm”, tha ai.

Ndërsa, sipas ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, synimi i këtij samiti ka qenë nxitja e të rinjve në digjitalizim.

“Synimi ka qenë që të kemi një llojllojshmëri të aktiviteteve. Të mos kemi vetëm politikbërës dhe biznese, por të kemi edhe pjesëmarrje të rinisë dhe gjitha grup moshave. Përveç diskutimeve në nivel të politikave, kemi dashur gjithashtu që samiti të sjell shpirtin e shtetit tonë të ri. Me rininë tonë, fëmijët tonë dhe sot patëm mundësi të shohim fëmijë duke koduar, duke krijuar lodra dhe aktivitete të ndryshme në fusha të elektronikes dhe robotikës”, shtoi ajo.

Nga ana tjetër, sekretari i shtetit në Ministrinë Federale për Digjital dhe Transport në Gjermani, Stefan Schnorr, kërkoi një qasje në vlera të bazuara sa i përket transferimit digjital.

“Ne duhet të kemi një qasje të bazuar në vlera sa i përket transferimit digjital në gjithë kontinentin tonë. Gjithashtu edhe për të ndërtuar një qëndrueshmëri në Evropë dhe të njëjtën kohë të jemi edhe më të qëndrueshëm vetvetiu. Pavarësisht kësaj, një gjë e tillë nuk bëhet vetëm, por bëhet duke i ndarë idetë dhe punuar së bashku. Prandaj ky samit është një platformë që ndihmon dhe inkurajon një dialog konstruktiv”, tha ai.

Mbajtja e këtij samiti në Prishtinë është bërë në kuadër të Procesit të Berlinit.