Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ngjarjen e organizuar nga ambasada franceze në Kosovë, për nder të ditës kombëtare të Francës, ka përsëritur deklaratën e presidentit të Shteteve të Bashkuara (SHBA), Joe Biden, i cili, gjatë një vizite në Paris në qershor të këtij viti, theksoi se Franca “ishte miku ynë i parë” dhe “ajo mbetet një prej miqve tanë më të mirë”.

“Me 8 qershor të këtij viti, me rastin e vizitës së tij shtetërore në Francë, presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, tha për Francën se ‘ishte miku ynë i parë’ dhe ‘ajo mbetet një prej miqve tanë më të mirë’. Gati të njëjtën mund ta them edhe unë, në emër të Kosovës”, ka deklaruar kreu i ekzekutivit.

“Prej ndërhyrjes së NATO-s në 1999, deri në Deklaratën e Pavarësisë në 2008, deri më sot, Franca ka qenë ndër miqtë e parë të Kosovës dhe vazhdon të jetë ndër më të mirët. Në momentet më të rëndësishme të historisë sonë, si popull dhe si shtet, në raste të gëzimit dhe ato të pikëllimit, juve ju kemi gjetur në krah. Për këtë, kemi qenë, jemi, dhe do të jemi përherë, falënderues”.

Ndryshe, dita kombëtare e Francës është e lidhur me kryengritjen popullore dhe marrjen e Bastijës më 14 korrik 1789 – pikënisje e revolucionit francez. Një trashëgimi e epokës së iluminizmit, motoja e famshme “Liberté, Egalité, Fraternité” u shfaq për herë të parë gjatë revolucionit francez.

“Qytetarët e Francës riafirmuan më 7 korrik përkushtimin e tyre ndaj lirisë dhe barazisë, duke votuar bindshëm për Republikën dhe për Evropën. Ndonëse të ndara me mbi dy shekuj në mes vete, viti 1789 dhe viti 2024 janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin. Pa çka se në parti të ndryshme me dallime jo të vogla, bashkimi politik e publik për republikë dhe Evropë i Francës së korrikut 2024, në zgjedhje të lira e demokratike, nuk do të ishte i mundur pa revolucionin e korrikut të vitit 1789. Jam i bindur që kjo Francë, Franca si e tillë, vazhdon të inspirojë kontinentin evropian dhe botën mbarë.” u shpreh kryeministri.