Kurti i vendos “në front” Konjufcën dhe Mujën për ta kundërshtuar draftin e statutit për Asociacionin

Përplasja mes zyrtarëve kosovarë dhe atyre të Bashkimit Evropian po vazhdon, pas vendimit të qeverisë së Kosovës për ta shpërbërë Ekipin Menaxhues që hartoi draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Me konkretisht, Lëvizja Vetëvendosje e ka kthyer “shpatën” në drejtim të emisarit special të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

Javën e kaluar, Kosova ishte kritikuar nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, për shkarkimin e Ekipit Menaxhues.

“Vendimi për shpërbërjen e ekipit menaxhues, shkel përmbajtjen dhe frymën e marrëveshjeve dinamike, dhe çdo vendim në lidhje me Ekipin Menaxhues duhet të miratohet në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, u shpreh Stano.

Së pari, foli kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili i reagoi emisarit të BE-së pasi Lajçak, të hënën tha se draft-statuti për Asociacionin i propozuar nga Ekipi Menaxhues, ka qenë vetë një pikënisje dhe se negociatat duhet ta vazhdojnë.

Konjufca, në një konferencë për media, tha se ky draft-statut është anti-kushtetues dhe se është bërë me urdhër të Serbisë dhe presidentit të saj për krijimin e një republike serbe brenda Kosovës.

“Statuti që ata e prezantuan ishte sipas urdhrit të Serbisë dhe presidentit Vuçiq. Ishte statut me një përpjekje për me kriju republikë serbe brenda Kosovës dhe kjo është anti -kushtuese. Dhe unë mendoj që kurrfarë pozicioni anti-kushtetues nuk mundet me qenë bazë për negociata. Pikënisja duhet të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës”, tha Konjufca.

“Nëse BE nuk mendon se zgjidhja duhet kërkuar brenda Kushtetutës së Kosovës, mendoj se Kosova nuk ka çfarë kërkon në atë dialog më”, tha Konjufca.

Armend Muja, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje u tregua i ashpër ndaj emisarit evropian.

“Teoria e Lajcakut shumë e thjeshtë, ai po do një qëndrim kushtetues dhe një jokushtetues të arrijnë mes, thuajse kushtetutshmëria është mes aritmetik. Apo edhe më tutje, një përfaqësues që do zgjidhje mes kartës së Këshillit të Evropës dhe Republika Srpskas në Bosnjë, një kompromis mes vlerave të BE-së dhe Dodikut të Putinit e Vuciqit. Pra, vlerat evropiane vs vlerat proruse”, ka shkruar Muja në Facebook.

Tutje, edhe ai ka kërkuar që propozimi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Për Republikën e Kosovës gjërat janë të qarta, ne jemi me vlerat evropiane dhe rregullat janë përbrenda Kushtetutës së Kosovës. Të drejtat nuk janë mes artimetik mes të mirës dhe të keqes”, ka shkruar ai.

Qëndrim të ngjashëm me emisarin Lajçak e kishte edhe Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, i cili tha se zgjidhja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është në “mesin” e dy vizioneve. Komente të cilat zyrtarët e lartcekur vendosën të mos i komentojnë.