Albin Kurti, kryeministër në detyrë, sapo ka reaguar ndaj presidentit Hashim Thaçi pasi që ky i fundit tha se VV-ja është organizatë kriminale. Ky reagim i presidentit erdhi pasi që ministri në detyrë, Sveçla, tha se Thaçi duhet të karantinohet nëse ka pasur kontakt me Pacollin.
“Presidenti i Kosovës, Thaçi, duhet të pushojë me këto kalime kufiri pa protokoll e në kundërshtim me masat e marra ndaj pandemisë COVID-19. Ai është shembull i keq që qytetarët nuk bën ta ndjekin. Sa për sharjet e fyerjet që m’i bën, duke thirrur me zërin që i dridhet porsi kalama nëpër studiot televizive, e kam zgjidhjen: le ta organizojmë një debat televiziv ku dalim ne të dy, pra, unë Kryeministri në detyrë dhe ai Presidenti jashtë detyrës. Nëse don, le ta marrë me vete edhe Behgjet Pacollin. Në atë rast, po, edhe unë po e marr Xhelal Sveçlën e Rashit Qalajn”, ka shkruar Albin Kurti para pak çastesh. /Ballkani.info/







