Kurti i përgjigjet më në fund telefonatës së O’Brienit dhe Grenellit

Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka konfirmuar se mbrëmë rreth mesnatës në celularin e Albin Kurtit është regjistruar një thirrje nga amerikanët, por që shefi i Qeverisë s’është përgjigjur. Mbrëmë kryeministrin kosovar e ka thirrur këshilltari për Siguri Kombëtare i presidentit Donald Trump, Robert O’Brien. Kryeministria bën me dije se Kurti ka folur sot me të dërguarin e posaçëm të Trumpit për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, si dhe me z. O’Brien.

Sot pasdite u tha se Kurti nuk u është përgjigjur në telefon zyrtarëve të lartë në Uashington. Thirrja është bërë nga këshilltari i Trumpit, Robert O’Brien, të cilit Kurti nuk i është përgjigjur mbrëmë, sikurse edhe disa thirrjeve të tjera nga Shtëpia e Bardhë. Kjo ka nervozuar zyrtarët e lartë amerikanë.

“O’Brien e ka telefonuar Kurtin për të diskutuar, por ai nuk është përgjigjur. Nuk u është përgjigjur as disa thirrjeve të tjera nga Shtëpia e Bardhë. Ai po e shkatërron raportin”, ka thënë një zyrtar amerikan në kushte anonimiteti.

“Mbrëmë kur e kanë kontaktuar rreth mesnatës nga ambasada amerikane nuk ka mundur të përgjigjet, por atë bisedë e ka zhvilluar para një ore e gjysmë. Pra, me ambasadorët O’Brien dhe Grenell”, kanë thënë për kallxo.com nga Zyra e kryeministrit Kurti.

Dje gjatë ditës, amerikanët kanë mbajtur një takim me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në përpjekje për ta rinisur dialogun Kosovë-Serbi. Amerikanët janë të pakënaqur me vendimin për tarifën që mori Kurti. Ata kërkojnë heqjen e plotë të tarifës, pa ndonjë masë tjetër, siç është reciprociteti.