Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ka folur edhe një herë për deklarimet e ambasadorit amerikan, Chris Hill, për takimin e 18 gushtit në Bruksel e cili ka thënë se Serbia kishte qenë e përgatitur por jo edhe Kosova.

Kurti ka thënë se në këtë takim ka qenë kreativ e i përkushtuar dhe se në tavolinë kishte vendosur propozime konkrete.

Ai tutje ka thënë se ka qenë Serbia ajo që kishte shtyrë takimin e paraparë të mbahej në korrik dhe përsëri edhe pas një muaji në Bruksel kishte shkuar pa ide konkrete.

Kurti edhe një herë ka përsëritur së në Bruksel kishte udhëtuar si kryeministër i Kosovës dhe jo si polic, doganier apo zyrtar i kadastrës.

Pjesë nga konferenca:

Kam marre pjese ne te gjitha takimet. Kam qene kreativ konstruktiv, i përkushtuar për dialog për marrëveshje, jo për dialog për dialog. Marrëveshja duhet të jetë ligjërisht e obligueshme. Unë kam shkuar më propozime konkrete. Së pari në pikën kryesore që është korniza gjithëpërfshirëse e përgjithshme e marrëveshjes për normalizim unë kam propozuar një ide me gjashtë kapituj dhe me elemente përkatëse se si do të duhej të dukej ajo kornizë.

Pra unë kam propozuar konkretisht, tash ai që propozon konkretisht është konstruktiv, ndihmues kreativ dhe ky kam qenë unë në takimin e 18 gushtit.

Mos harroni që takimi i 18 gushtit është dashur të mbahej më 19 korrik, mirëpo Beogradi kishte kërkuar shtyrje.

Dhe kur ka ardhur pas një muaji s’ka sjellur ide konkrete.

Unë kam sjellë ide konkrete, dhe jo vetëm kaq. Teksti dhe përmbajtja e një marrëveshje është dakorduar. Teksti i marrëveshjes për personat e zhdukur me dhunë është dakorduar, Beogradi ka refuzuar ta nënshkruaj.

Nga ana ime kjo gjë ka qenë pozitive optimiste, takimi ka qenë në frymë pozitive, mirëpo s’ka pasur gatishmëri nga pala tjetër, që të bëjë asnjë lloj marrëveshje.

Insistimi ka qenë të bëjmë menaxhim krize. Për çështje të sigurisë ne e takuam Stoltenbergun. Për çështje të sigurisë e takojmë NATO-n.

Nëse dëshirojmë të mos flasim për kornizë të marrëveshjes sic kam bërë unë, por vetëm për hapa të vegjël, ne nuk do të jemi atëherë liderë, por policë e doganier.

Ai ishte takim i liderëve të dy shteteve për marrëveshje, e që të merremi vesh duhet të diskutojmë për kornizën.

Pala tjetër ishte plotësisht e papërgatitur.

Ne u dakorduam që të mos e acarojmë situatën me deklarime paraprake, por kështu nuk ndodhi me palën tjetër. Keni parë deklarime të Vuçiqit që e inflamojnë me retorikë skandaloze mbi eventualitetin dhe s’i kontribojnë dialogut për marrëveshje.

Unë jam i interesuar për marrëveshje dhe sa për mua, marrëveshja do të nënshkruhej më 18 gusht. /Express/