Albin Kurti dhe Qeveria e tij ka qenë e mbyllur për shumicën e mediave kosovare, që prej ardhjes në pushtet. Sot kur ka kaluar një vit prej se ai ka marrë detyrën e kryeministrit, Kurti ka falenderuar gazetarët dhe ka uruar për shtim të bashkëpunimit me ta.
Falenderimin për ta ka zgjedhur ta bëjë në profilin e tij në Instagram.
Ai ka thënë se me raportimet, komentet e kritikat e tyre, gazetarët kanë kontribuar në debatin demokratik dhe llogaridhënien institucionale.
“Në njëvjetorin e qeverisë sonë, dua t’i falënderoj të gjitha gazetaret e gazetarët, kameramanët e redaktorët e mediave tona të cilët me raportimet, komentet e kritikat e tyre kanë qenë vigjilent ndaj deklaratave tona dhe kanë kontribuar në debatin demokratik dhe llogaridhënien institucionale. Uroj për shtim të bashkëpunimit në vitin e dytë të punës sonë”, ka shkruar Kurti në Instagram.
Ndryshe, Kurti është pyetur në RTK për sulmin që ua ka bërë mediave shefi i stafit të tij Luan Dalipi, duke i krahasur mediat me kompani të kriminalizuara.
Teksa foli për sulmin që Luan Dalipi ia ka bërë mediave, Kurti tha se Dalipi është si aktivist politik.
Gjithashtu theksoi se ai vetë përkrahë idenë që Qeveria e Kosovës t’i ndihmojë me fonde për trajnime për gazetari hulumtuese punonjësit e mediave.
“Shefi i stafit tim është pak edhe si aktivist politik është e vërtetë kjo punë, por, unë nuk kisha dashur që të gjitha mediat të konsiderohen të njëjta sepse s’janë. Unë besoj që shumë media bëjnë punë të mirë, por në të njëjtën kohë besoj që ka edhe edhe shumë tendenca të cilët nuk kanë për qëllim informimin e publikut por më shumë denigrimin e dikujt të përveçëm. Por kjo nuk do të thotë që ne kështu mendojmë për mediat. Në anën tjetër është e vërtetë që Qeveria e Republikës së Kosovës, nuk i reklamon logot e ministrive të veta nëpër portale online. Ka ndodhur në të kaluarën ne këtë e dimë, ministria e caktuar reklamohet në filan portalin, une mendoj që kjo është gjë e gabueshme”, tha Kurti./







