Kurti i luti për t’i dërguar para, por ende nuk e ka shpenzuar asnjë cent të diasporës

Rreth 5 javë pasi që u shfaqë rasti i parë me COVID-19 në Kosovë, kryeministri Albin Kurti u ishte drejtuar me një kërkesë diasporës së Kosovës.

Kërkesa e kryeministrit në atë kohë ishte që të diaspora të ndihmoj Kosovën meqë po përballej me nj krizë shëndetësore e ekonomike.

“Në buxhetin e Kosovës ka rënie të të hyrave dhe në anën tjetër gjithashtu ka shpenzime të paparashikuara. Bashkatdhetarët tanë i ftojmë që ta ndihmojnë vendlindjen e tyre në këtë krizë shëndetësore”, ishte shprehur Kurti në atë kohë.

Kësaj kërkese të Kurtit iu bashkëngjit edhe fondi, i cili sot numëron rreth 720 mijë euro.

“Në llogarinë e dedikuar të hapur për fondet për menaxhimin e pandemisë, janë pranuar 717,955.93 Euro, prej te cilave nga jashtë vendit janë pranuar 667,297.70 Euro dhe brenda vendit 50,658.23 Euro”, thuhet në përgigjen e Zyrës së Kryeministrit për KALLXO.com

Mirëpo ndonëse kanë kaluar më shume se 16 muaj prej kur është hapur ky fond, ende as edhe një cent nuk është shfrytëzuar nga Qeveria e Kosovës.

Nga qeveria e Kosovës kanë treguar se disa prej mjeteve të mbledhura janë alokuar, por ende asnjë nuk është shpenzuar.

“Nga këto, shuma prej 511,681.50 Euro është alokuar te Ministria e Shëndetësisë e cila është në proces të furnizimit me pajisje mjekësore për nevoja laboratorike për menaxhimin e pandemisë. Ndërsa, shuma prej 206,274.43 Euro ende nuk është alokuar te ndonjë organizatë buxhetore. Jemi duke i shqyrtuar mundësitë dhe format se si dhe ku më së miri mund të përdoren këto mjete, në kuadër të përballjes dhe menaxhimit të pandemisë”, thuhet tutje në përgjigjen e ZKM-së.

Nga Ministria e Shëndetësisë thanë për KALLXO.com se paratë nga ky fond do të përdoren për të siguruar barna, materiale shpenzuese apo edhe pajisje në luftën kundër pandemisë.

“Përfshirë këtu edhe pajisjet laboratorike, testet për detektim të virusit, materialet shpenzuese që shkojnë bashkë me teste dhe pajisje të tjera laboratorike”, kanë thënë nga Ministria e Shëndetësisë për KALLXO.com.

Nga qeveria kanë njoftuar se fondi vazhdon të mbetet i hapur për të gjithë ata që duan të kontribuojnë.

As qeveria Hoti, e cila pas 4 muajve e zëvendësoj qeverinë Kurti I nuk i kishte shfrytëzuar mjetet e këtij fondi për të luftuar pandeminë COVID-19.

Këto fonde kanë ardhur në Kosovës pas kërkesës që kishte bërë Albin Kurti për mbështetje financiare, më 12 prill të 2020 – ës.

Kërkesa ishte bërë për arsye të tejkalimit të pandemisë.

Kurti asokohe kishte thënë se ndihma po kërkohet pasi që kishte pasur rënie të të hyrave dhe se kjo kishte vështirësuar gjendjen edhe në sektorin e shëndetësisë publike.