Kurti i fut pak politikë edhe urimit për Pashkët, thotë se është tejkaluar një pengesë e madhe

Kryeministri Albin Kurti ka futur pak politikë edhe në urimin e tij për festën e Pashkëve.

Kurti i ka uruar të gjithë besimtarët katolikë e protestantë për festën e Pashkëve, duke e përmendur indirekt fitoren e partisë së tij në zgjedhjet e fundit parlamentare. Ai ka thënë se bashkë, qytetarët në këtë fillimvit e kanë tejkaluar një pengesë të madhe.

“Si shoqëri dhe si shtet po kalojmë kohëra të vështira si pasojë e pandemisë Covid-19 por edhe e problemeve të grumbulluara me dekada, sfida që përveçse aftësisë shpeshherë testojnë edhe durimin tonë. Por, ky fillimvit na ka dëshmuar sërish se kur bëhemi bashkë tejkalojmë çdo pengesë, sado e madhe të jetë”, ka shkruar ndër tjerash Kurti.

Urimi i plotë i kryeministrit:

Urime Pashkët për të gjithë besimtarët katolikë e protestantë!

Kjo fundjavë është e veçantë për besimtarët katolikë e protestantë në Kosovë dhe në mbarë botën. Janë këto ditët e afrimit me njëri-tjetrin por edhe të besimit mes nesh.

Si festë e ringjalljes dhe ripërtëritjes, Pashkët janë simbol i sakrifikimit dhe i shpresës, i fillimeve të reja.

Si shoqëri dhe si shtet po kalojmë kohëra të vështira si pasojë e pandemisë Covid-19 por edhe e problemeve të grumbulluara me dekada, sfida që përveçse aftësisë shpeshherë testojnë edhe durimin tonë. Por, ky fillimvit na ka dëshmuar sërish se kur bëhemi bashkë tejkalojmë çdo pengesë, sado e madhe të jetë.

Andaj, sot lutemi dhe urojmë për më shumë mirësi e më shumë dashuri.

Gëzuar Pashkët!