Kurti i drejtohet masës në tubimin e së premtes

Lëvizja Vetëvendosje të premtën e 12 qershorit, shënon 15 vjetorin e themelimit.

Në tubimin që ka organizuar në sheshin ”Skënderbeu”, masës do t’ju drejtohet lideri i këtij subjekti, Albin Kurti, dhe jo vetëm.

”Në kuadër të këtij organizimi, përveç Kryetarit të Lëvizjes, Albin Kurti, do të flasin edhe personalitete tjera”, ka thënë zyrtari i Vetëvendosjes Arlind Manxhuka, në një përgjigjie për Klan Kosovën.

Derisa vendi gjendet në kohë pandemie, Manxhuka thotë se gjithçka është organizuar në përputhje me rekomandimet për mbrojtje nga përhapja e Covid-19.

”Në Sheshin “Skënderbeu”, në orën 17:00, gjithnjë në përputhje me rekomandimet duke ruajtur distancën fizike”, shprehet ai.

Lëvizja Vetëvendosje shënon përvjetorët e themelimit të saj në ditën kur dhe shënohet Dita e Çlirimit të Kosovës.

Ndërsa edhe kjo ditëlindje, Lëvizjen Vetëvendosje, e gjen në opozitë, ndonëse në zgjedhjet e 6 tetorit të 2019-ës, doli fituese, por që partneri i saj qeverisës Lidhja Demokratike prishi koalicionin e bashkëpunimit.