Regjistrimi i popullsisë

Kurti i bindur se regjistrimi i popullsisë do të nis në prill

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, gjatë vizitës në Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), janë shprehur të bindur se regjistrimi i popullsisë do të nis në muajin prill të këtij viti.

Pavarësisht se regjistrimi i popullsisë, parashihej të niste në vitin 2023, i njëjti nuk kishte ndodhur.

“Rreth dy muaj na ndajnë nga nisja e regjistrimit të popullsisë. Statistikat e sakta janë të rëndësishme e të nevojshme për shtetin, për zhvillimin e vendit dhe targetimin e duhur të politikave e strategjive të Qeverisë”.

Gjatë takimit me udhëheqësit e ASK-së, kreu i ekzekutivit premtoi mbështetje të plotë në realizimin e procesit të regjistrimit të popullsisë.

“Kryeministri Kurti ritheksoi mbështetjen e plotë të Qeverisë ndaj ASK-së, në realizimin e procesit me standardet e kushtet teknike të nevojshme, duke ofruar dhe gatishmëri të plotë të ndihmojë sa i përket sfidave e nevojave të ndryshme”, thuhet në komunikatë.

Ministria e Financave dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës kishin fajësuar njëra-tjetrën për dështimin e këtij procesi.

Qeveria dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës, kanë hartuar një Plan Veprimi jo adekuat dhe të parealizueshëm ne raport me rrethanat për Regjistrimin e Popullsisë, paçka në koordinim edhe me Kuvendin kanë miratuar një Ligj jashtë standardeve evropiane dhe ndërkombëtare për Regjistrimin e Popullsisë.

Në dështimin e fillimit të Regjistrimit të Popullsisë sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës të datës 30 shtator ka ndikuar gjithashtu edhe mos-kokëçarja e Qeverisë së Kosovës dhe Agjencisë së Statistikave për të përgatitur në mënyrë të duhur e me kohë procesin, me gjithë mungesat ligjore.

Kësisoj Qeveria dhe Agjencia e Statistikave nuk kanë arritur me kohë që të ndërtojnë kapacitetet e nevojshme njerëzore, infrastrukturore dhe administrative për realizimin e Projektit të Regjistrimit të Popullsisë duke shkaktuar dëme zinxhirore saqë kurdo që Qeveria mendon të fillojë me censusin e popullsisë, ky projekt fatalisht do të jetë i predispozuar që të dështojë.

VIDEO BONUS: Kryeministri Kurti dhe ministri i Financave Murati, lansojnë zgjerimin e platformës “Superpuna”