Në mbledhjen e 48-të të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, kryetari i saj Albin Kurti teksa ka folur për “sukseset e qeverisë së tij”, gjeti kohë të diskutojë edhe për mediat në Kosovë e Serbi.

Sipas tij, ka disa njerëz e ndonjë kanal medial që “interesin kryesor e kanë ta besojnë lajmin me origjinë nga Beogradi sesa nga Prishtina”.

Pavarësisht kësaj, ai tha se po tentojnë të japin shembuj për korrektësi.

Për Kurtin, disa media në Kosovë i japin jehonë “atij apo këtij për çfarëdo që tha”. Megjithatë, shefi i qeverisë shtoi se nuk është në pozitë që të komentojë gjithçka.

“Në kohë krize na duhet të solidarizohemi me njëri-tjetrin. Ka njerëz e ndonjë kanal medial që interesin kryesor e kanë ta besojnë lajmin me orgjinë nga Beogradi sesa nga Prishtina, pavarësisht se ne po tentojmë që vazhdimisht të japim shembuj për korrektësi. I bëjnë jehonë se çka thënë filani e fisteku, e mua më thonë pse s’po e komenton atë”.

“Po e them këtu e ndoshta edhe për herë të fundit se secili komunikim do të jetë për interesin publik të Kosovës, nuk jam në pozitë se të jap mendim për gjithçka. I këshilloj vartësit e mi ta ndjekin këtë parim. Duhet ta ulim këtë spektaklin për të dhënë koment për gjithçka”, u shpreh kryeministri.