Kryeministri në detyrë Albin Kurti, e ka akuzuar Serbinë për nxitje të tensioneve në rajon.
Ai në një konferencë për media të mbajtur të hënën, ku ka folur për arrestimin e Igor Popoviqit, ndihmësdrejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka thënë se secili që shkel rëndin dhe ligjit do të përballet me drejtësi.
Ai i ka komentuar edhe deklaratat e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që ka thënë se arrestimi i Popoviqit “mund të ketë pasoja të paparashikueshme”.
“Deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq të bëra më 20 korrik sivjet janë kërcënuese, destabilizuese dhe krejtësisht të papranueshme. Kur një president dhe njëkohësisht komandant suprem i ushtrisë së një shteti lëshon kërcënime publike me tone nxitëse të konfliktit, kjo nuk mund të konsiderohet më si qëndrim individual por si politikë shoqërore. Në këtë mënyrë Beogradi zyrtar tregon qartazi se nuk e mbështet drejtësinë, paqen dhe stabilitetin, por nxitjen e tensioneve dhe përhapjen e gjuhës së urrejtjes në rajon sikur që deklarimet e Popoviqit, po ashtu nxisin përçarje dhe mosdurim”, ka theksuar Kurti.







