Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, ka thënë ata janë shtysa e motivimi i sotëm dhe udhëheqësit e së nesërmes.

Kurti, mes tjerash thekson se fëmijët tanë duhet të jetojnë në një shtet të sigurt, që përkujdeset për ta e që i mbron nga çdo e padrejtë.

“Fëmijët janë shtysa e motivimi i sotëm, shpresa e lumturia por edhe udhëheqësit e së nesërmes”, shkroi Kurti në rrjetin e tij social në Facebook.

Shefi i ekzekutivit thotë se ata na gëzojnë dhe na i mbushin ditët plot hare si dhe na bëjnë të mos harrojmë rëndësinë e çiltërsisë dhe harmonisë.

“Çdo punë që e bëjmë e ka si qëllim përmirësimin e jetës në vend e natyrisht dhe të ardhmen. Fëmijët tanë duhet të jetojnë në një shtet të sigurt, që përkujdeset për ta e që i mbron nga çdo e padrejtë. Me politikat e qeverisë sonë, i tillë po bëhet përherë e më shumë shteti jonë. Festojmë ditën e fëmijëve, festojmë të ardhmen”, shkroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.