Kurti: Është e vështirë që përnjëherë ta zvogëlojmë migrimin

Sonte, në edicionin e emisionit Rubikon në Klan Kosova, përballë Adriatik Kelmendit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, foli rreth qeverisjes së tij dyvjeçare.

Kurti tha se është e vështirë që përnjëherë të zvogëlohet migrimi i popullsisë.

“Nuk mundemi që përnjëherë, madje as shpejt, që migrimin ta zvogëlojmë deri në masën që punësimi të jetë më i madh se ai”, tha Kurti.

Ai theksoi se nuk i ndihmohet atyre që e kanë humbur shpresën duke iu thënë se e “kanë humbur shpresën”.

“Nëse është dikush afër humbjes së shpresës se ka edhe të tillë, nuk ndihmon t’ju themi se po e humbin shpresën. Është e rëndësishme edhe ky aspekt. Në thelb të çështjes është mungesa e prodhimtarisë vendore, struktura e ekonomisë tek ne, e cila është bazuar shumë në import, konsum, në financa por jo në përpunim dhe prodhim. Dhe, vetëm tash më në fund kanë filluar të rriten eksportet dhe të hapen vendet e reja të punës”, tha ai.