Kurti emëron zëvendësministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar edhe zëvendësministrin e tretë prej që e ka marrë mandatin e të parit të ekzekutivit.

Pasi emëroi Xhelal Sveçlën si zëvendësministër në MPB, dhe Taulant Kryeziun në Ministrinë e Integrimeve Europiane, Kurti ka emëruar Imri Demelezin në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media.

“Kurti, me këtë rast, i ka uruar Demelezit punë të mbarë dhe suksese të vazhdueshme”, thuhet në njoftim.

Sipas faqes zyrtare të VV’së, Imri Demelezi u lind më 1985 në Viti. Studimet universitare i ka përfunduar për Agroekonomi, në Universitetin e Prishtinës. Studimet pasuniversitare Master për “Zhvillim të Qëndrueshëm të Hapsirave Bujqësore dhe Rurale”, në Universitetin e Bologna-s, Itali. Master-pasdiplomike specializimi për “Bujqësi Organike Mesdhetare”, në CIHEAM, IAMB, Bari, Itali. Ka përfunduar Shkollën Politike, të organizuar nga PIPS dhe Këshilli i Evropës Shkolla për Studime Politike.

Kjo Ministri udhëhiqet nga Besian Mustafa.