Kurti emëron Gexha-Bunjakun ushtruese detyre të ministres së Shëndetësisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka emëruar zëvendësministren e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjakun, ushtruese detyre të ministres, pas dorëheqjes së ish-ministrit, Rifat Latifi.

Zyra e kryeministrisë ka bërë të ditur të premten, se Kurti është takuar me Latifin, të cilit i ka shprehur mirënjohje për punën dhe angazhimin e tij.

“Duke e falënderuar për besimin dhe bashkëpunimin, Dr. Rifati shprehu gatishmërinë e tij dhe u zotua për vazhdim të mbështetjes si profesionist, akademik e qytetar, sidomos në projektet e filluara tanimë”, thuhet në njoftim.

Latifi ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të enjten, ende pa u mbushur as një vit nga emërimi i tij në këtë pozitë.