Kurti e pranon se do t’i rikthehet dialogut me Serbinë: Mund të fillojë dikur në qershor

Kryeministri Albin Kurti tha sot para deputetëve të Parlamentit Evropian se kapitulli vijues i dialogut Kosovë-Serbi mund të fillojë dikur në qershor.

“Sapo u takova me z. Borell dhe i shpjegova që do të vijë në Bruksel prapë më 18 maj për njj darkë pune dhe pastaj kapitulli vijues i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë mund të fillojë dikur në qershor”, tha Kurti para eurodeputetëve.

Ai ripërsëriti qëndrimin e tij për dialogun me Serbinë se duhet të përgatitet mirë dhe të realizohet në bazë të parimeve.

Kryeministri kosovar tha poashtu se në tavolinën e bisedimeve Kosova do të jetë palë e barabartë me Serbinë.

“Detyrimi im që të mbrojë pavarësinë e Kosovës, ne jemi për dialog por për një dialog të mirë përgatitur dhe me parime. Së pari është pranimi i  realitetit, pavarësia e Kosovës në bazë të Pakos së Ahtisaarit ka qenë kompromis, hapja e kësaj pakoje do të thoshte hapje e listës së dëshirave e shtytjeve që do të qonin në pasoja të padëshirueshme. Parimi i dytë është që Serbia duhet të pranojë të vërtetën dhe krimet dhe gjenocidin që ka kryer për të cilin NATO është dashur ta bombardojë regjimin e Beogradit, edhe pas luftës në Kosovë, qeveria e re në Serbi nuk është distancuar nga Millosheviqi. Parimi tretë është barazia e përfaqësuesve, në çdo tryezë ulemi të barabartë, Kosova nuk është çështje por palë në dialog kjo duhet të kuptohet para çdo takimi”, tha Kurti.