Kurti e Peci bëjnë sfilatë nëpër ara, Kosova nuk e ka të sigurt bukën

Kosova as këtë vit nuk do të arrijë t’i plotësojë nevojat e popullatës për ushqim nga rendimentet e grurit. Mungesën e grurit e ka konfirmuar edhe vet ministri Faton Peci. Kërkesa për grurë për kokë banori në Kosovë sillet rreth 200 kilogramë, ose rreth 400 mijë tonë grurë në vit. Të sigurta për këtë vit janë veç 260 mijë ton.

Korrje-shirjet e grurit edhe këtë vit kanë nisur me fotografi nga kombajna.  Traditën që kryeministri e ministri të dalin në ara e kanë vazhduar edhe Albin Kurti e Faton Peci.

Por, derisa këto sfilata bëhen arave të Kosovës, qytetarët duket se edhe këtë vit do të kenë telashe që të sigurojnë bukën e gojës.

Tokat e mbjella me grurë nuk po e mbulojnë kërkesën e qytetarëve.

Këtë fakt e ka pranuar edhe vet ministri Peci në një deklarim për media.

Nevojat e tregut në Kosovë, sipas ministrit Peci, do të përmbushën rreth 73 për qind. Pjesa tjetër duhet të mbulohet me import.

“Fillimisht janë pritur rendimente më të larta, por më vonë disa të reshura kanë ulur këto parashikime. Rendimentet priten të jenë nga 4.000 deri në 4.500 kilogramë, për një hektar.  Nevojat e tregut në Kosovë do të përmbushën rreth 73 për qind, kjo edhe sipas vlerësimeve të ekspertëve. Nevojat e Kosovës janë për rreth 400 mijë ton grurë, kurse Kosova pritet të siguroi mbi 260 mijë ton grurë”, ka deklaruar ai në RTK.

Rritja edhe e çmimit të derivateve të naftës dhe tregu jo i sigurt, ka bërë që fermerët të mos jenë shumë entuziastë të merren me bujqësi.

Faton Peci ka thënë se sigurimi i i ushqimit është një temë që po e preokupon tërë globin.

“Në kuadër të angazhimeve tona, si Ministri edhe si Qeveri, kemi tentuar të japim maksimumin, brenda mundësive dhe kapaciteteve buxhetore, që të rrisim nivelin e subvencioneve”, tha ai.