Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po qëndrojnë aktualisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sersionit të 80-të të Asambles së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Kësisoj, përgjegjësitë kushtetuese që lidhen me ushtrimin e funksioneve të saj, përfshirë nënshkrimin e dekreteve dhe përfaqësimin e shtetit brenda territorit të Kosovës, kalojnë përkohësisht te Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, shkruan Periskopi.
Osmani ka filluar vizitën e saj në SHBA më 21 shtator, ku u prit nga mërgata në Waterbury, Connecticut.
Dy ditë më parë, presidentja e vendit dha gjithashtu një intervistë për Fox Neës, ku deklaroi se administrata amerikane ka bërë punë të mirë në parandalimin e përshkallëzimit të situatës mes Kosovës dhe Serbisë, por theksoi se Beogradi paraqet një kërcënim të vazhdueshëm për Prishtinën.
Osmani u pyet nëse Kosova dhe Serbia ishin buzë një konflikti në qershor. Osmani tha se fqinjit verior të Kosovës i “pëlqen të shkaktojë probleme herë pas here”.
Ajo tha se Serbia në të kaluarën, kur udhëhiqej nga Sllobodan Millosheviq ishte përgjegjës për një sërë konfliktesh, por edhe tani, sipas saj, në udhëheqjen e Serbisë ka ende njerëz “të cilët pëlqejnë të kapen pas së kaluarës dhe të na kthejnë të gjithëve në të kaluarën, teksa ne dëshiron të shohim nga e ardhmja”.
Gjatë ditës së djeshme, Osmani njoftoi popullin se në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork ka zhvilluar një bisedë “përmbajtësore” me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
“Me sekretarin Rubio, një bisedë përmbajtësore mbrëmë në kuadër të pritjes së organizuar nga presidenti [amerikan, Donald] Trump”, shkroi Osmani në Facebook, pa dhënë detaje të tjera për këtë takim.
Takimi i Osmanit me Rubion vjen pasi më herët gjatë shtatorit raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara pësuan një goditje. Uashingtoni njoftoi më 12 shtator për pezullimin e Dialogut të planifikuar Strategjik për shkak të veprimeve të Qeverisë në detyrë të Kosovës, që tha se kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë në vend.
Përveç Osmanit, edhe kryeministri Kurti po qëndron në ShBA. Njoftimin e bëri të ditur sot, Zyra e Kryeministrit ku u theksua se Kurti do të zhvillojë takime bilaterale me liderë në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
ZKM shton se gjatë qëndrimit atje, gjithashtu do të takojë pjesëtarë të komunitetit shqiptar në ShBA dhe përfaqësues të shoqatave të diasporës.
“Përmes pjesëmarrjes në Javën e Nivelit të Lartë dhe takimeve të parapara synohet thellimi i raporteve bilaterale me vende partnere, fuqizimi i mëtejmë i subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë në raport me vendet mosnjohëse dhe prezantimi i mundësive dhe përparësive që Republika e Kosovës ofron për investitorë të huaj”, tha ZKM në njoftim.







