Pas tetë përpjekjeve të pasuksesshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe gjashtë tentativave për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si Kryetare të Kuvendit, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ftoi në një takim konsultativ dy partitë më të mëdha: Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
PDK-ja, përmes kryetarit Memli Krasniqi, pranoi ftesën dhe konfirmoi pjesëmarrjen në takim të planifikuar për sot në orën 08:30, një orë e gjysmë para nisjes së seancës konstituive. Krasniqi theksoi nevojën urgjente për zhbllokimin institucional dhe propozoi gjetjen e një kandidati për kryetar Kuvendi që do të ketë mbështetjen e shumicës së deputetëve. Megjithatë, ai theksoi se pozita e nënkryetarit nuk është objekt diskutimi.
Në anën tjetër, LDK-ja refuzoi pjesëmarrjen në takim. Kryetari Lumir Abdixhiku ndodhet jashtë vendit, por zyrtarë të lartë të partisë, si Besian Mustafa dhe Hykmete Bajrami, e konfirmuan qëndrimin refuzues.
I pari që foli për refuzimin ishte Besian Mustafa. Ai tha se “Ka ftesë. Kryetari nuk është në Kosovë. Çështja e Kryetarit te Kuvendit, është çështje politike dhe kërkon shumicë politike. Për këtë çështje veçse kemi dhënë qëndrim”, ka thënë Mustafa për Reporteri.net.
I pyetur nëse do të shkojë dikush tjetër nga LDK-ja në këtë takim, Mustafa është përgjigjur shkurt “askush”.
Edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka folur për letrën që Kryetari Lumir Abdixhiku ka pranuar nga Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti për takim nesër në ora 08:30, duke thënë se nuk do të shkojë askush nga kjo parti.
Bajrami për ka thënë se pozita e nënkryetarit s’është objekt diskutimi me asnjë parti tjetër, pasi i takon LDK-së në bazë të rezultatit zgjedhor, e madje siç thotë ajo nënkryetarët votohen në pako nga Kuvendi, si praktikë e ndjekur deri tani.
“Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka pranuar një letër nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje/deputeti Albin Kurti. Megjithatë, as kryetari Abdixhiku dhe askush nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të merr pjesë në këtë takim. Pozita e nënkryetarit të Kuvendit që i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës është në bazë të rezultatit zgjedhor, dhe nuk është objekt diskutimi me asnjë parti tjetër. Për me tepër nënkryetarët votohën në pako nga Kuvendi, sipas praktikës së deritanishme”, ka thënë Bajrami për Reporteri.net







