“Kurti e dëmtoi Kosovën me letrën dërguar Manastirit të Deçanit”

Shkodran Imeraj nga Lidhja e Historiane të Kosovës e ka kritikuar Kryeministrin Albin Kurti, i cili mbrëmë i dërgoi letër Manastirit të Deçanit për ta zhvilluar një vizitë në atë objekt fetar.

Në një lidhje direkte në Edicionin Special në Klan Kosova, ai ka thënë se refuzimi që iu bë Kurtit nga ana e Manastirit të Deçanit ka krijuar një efekt negativ për shtetin e Kosovës.

“Për ne ka qenë paradoksale se si Kurti i drejtohet me një letër aq zyrtare një institucioni fetar që gjendet brenda territorit të Kosovës”.

“Për ne letra e Kurtit është shumë e pajustifikueshme sepse Manastiri i Deçanit i takon trashëgimisë së Kosovës”.

“Nuk është e udhës që i zoti i shtëpisë të kërkojë leje të hyjë në shtëpinë e vet. Është shqetësuese edhe përgjigja që ia kanë kthyer sepse ata kanë kërkuar që të respektohet një vendim antikushtetues”.

Sipas tij, ky acarim është i panevojshëm dhe Qeveria e Kosovës nuk është dashur që të jetë shkaktare.

“Kur të analizohet letra në detaje, aty është thënë se duhet të diskutohet për çështje të interesit të përbashkët – Qeveria e Kosovës me Manastirin e Deçanit nuk duhet të ketë raport si shtet me shtet”.

“Letra nuk është dashur të dërgohet nga Kurti, por nga kabineti i tij që të konfirmohet vizita e Kurtit”.

Imeraj shton se ky refuzim ka krijuar një efekt negativ për shtetin e Kosovës.

“Ky është një skandal i rëndë për Kurtin dhe Qeverinë e Kosovës”.

“Ne jemi duke pritur një konfirmim për takim zyrtar brenda kësaj jave të ardhshme. Do t’i vazhdojmë qëndrimet tona publike dhe ne jemi të vendosur që të kundërshtojmë zbatimin e vendimeve të Millosheviqit”.