Kurti e ‘bllokon’ AKP-në

Qeveria e re e Kosovës po këmbëngul që të pezullohet çdo vendimmarrje që ka të bëjë me privatizimin dhe tjetërsimin e ndërmarrjeve shoqërore nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Përparim Kryeziu, zëdhënës në Qeverinë e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se është e rëndësishme që të mos ketë “veprime të ngutshme dhe në shpërputhje me planin dhe qëllimet e ekzekutivit të ri”, të udhëhequr nga Albin Kurti.

“Qeveria Kurti është në javën e parë të detyrës së saj dhe tanimë jemi në proces të hartimit final të programit qeverisës. Aty edhe përfundimisht do të adresohet veprimtaria, kompetencat dhe funksioni i AKP-së”, thotë Kryeziu.

Gjatë fushatës zgjedhore, Kurti ka thënë se synon të shuajë aktivitetin e AKP-së. Në programin qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje thuhet se do krijohet Fondi Sovran dhe asetet e AKP-së do të kalojnë në pronësi të Fondit Sovran.

Më 25 mars, kryeministri Albin Kurti kërkoi nga AKP-ja të pezullojë shitjen e pronave të ndërmarrjeve shoqërore. Këtë kërkesë ai e bëri teksa bordi i kësaj agjencie po mbante mbledhje.

Në agjendë të kësaj mbledhjeje ishin planifikuar disa vendime, si shitje me negocim, propozim për qiradhënie, transferim të kontratës së qirasë, shitje të pronave përmes tenderëve publikë të aseteve të ndërmarrjeve publike, memorandume të ndërmarrjeve të shituara me metodën e spin-off special.

Bordi i AKP-së ndërpren mbledhjen pas kërkesës së Kurtit

Zyrtarë të AKP-së kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se të premten, më 25 mars, bordi ka qenë duke mbajtur takim të rregullt dhe ka vazhduar me procedurat ligjore të vendimmarrjes deri në pranimin e kërkesës nga ana e kryeministrit Kurti, që ka ardhur përmes e-mailit në ora 12:45 për “marrjen në konsideratë të pezullimit të vendimeve” sipas kërkesës.

“Bordi i drejtorëve ka diskutuar kërkesën e qeverisë dhe konform kërkesës ka ndërprerë mbledhjen në orën 13:30, duke pezulluar po ashtu procesin e vendimmarrjes për pikat e pashqyrtuara sipas agjendës së propozuar”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të AKP-së.

Vendimi i Hotit, ku kërkohet nga AKP-ja të mos shpall valë të reja të privatizimit.
Vendimi i Hotit, ku kërkohet nga AKP-ja të mos shpall valë të reja të privatizimit.

Por, pavarësisht kërkesës së kryeministrit të ri, Albin Kurti, ende vazhdon të jetë në fuqi një vendim i qeverisë paraprake, që mban datën e 1 korrikut të vitit 2020, ku ish-kryeministri Avdullah Hoti, kishte kërkuar nga AKP-ja që të mos bëjë shpallje të asnjë vale të re të privatizimit derisa të miratohet, siç thuhet në vendim, Strategjia për privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore në harmoni me Programin qeverisës të Republikës se Kosovës “me qëllim të përmbylljes së suksesshme të procesit të privatizimit”.

Nga AKP-ja thonë se kjo strategji është hartuar me grupin punues dhe i është dërguar qeverisë për miratim në tetorin e vitit të kaluar. Në mungesë të vendimmarrjes për miratimin e strategjisë, AKP-ja ka bërë shpalljen e valëve të reja dhe paralelisht ka njoftuar institucionet për çdo veprim të saj.

AKP-ja thotë se ka qenë në koordinim të plotë dhe permanent me Qeverinë e Kosovës. Ndryshe, gjatë vitit 2020, pas vendimeve të Qeverisë së Kosovës, AKP-ja nuk ka realizuar valë të reja të shitjes.

“Në momentin kur janë pranuar kërkesat shtesë nga qeveria dhe ushtruesja e detyrës së presidentit (Vjosa Osmani) për vazhdim të pezullimit të valëve të shitjes, AKP-ja ka pezulluar procesin dhe ky pezullim vazhdon të mbetet në fuqi ende deri në një vendim tjetër. Përpjekjet e AKP-së për realizimin e mandatit të saj ligjor, nuk mund të konsiderohen shkelje ligjore”, thuhet në përgjigje të APK-së.

Më 19 shkurt 2021, vetë Bordi i drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ka udhëzuar menaxhmentin e AKP-së që të mos vazhdojë me valët e shitjes deri në krijimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e datës 14 shkurtit. Bordi u takua pas krijimit të qeverisë, më 25 mars.

Në bazë të Ligjit për AKP-në, “agjencia merr parasysh të gjitha politikat përkatëse të cilat miratohen nga Qeveria apo Kuvendi i Kosovës”.

Si shkoi procesi i privatizimit?

Procesi i privatizimit në Kosovë ka nisur në vitin 2003 dhe vazhdimisht është kritikuar për mostransparencë, korrupsion e në disa raste është cilësuar edhe si proces i “shkatërrimit” të ndërmarrjeve shoqërore. Ky proces ka filluar nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM). Në vitin 2008 është pasuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Në Kosovë, nga 3.951 asete të identifikuara, deri më tani janë privatizuar 1.762 prona, ndërkaq të pa privatizuara kanë mbetur edhe 2.189, thuhet në përgjigjen e AKP-së dërguar REL-it. Këto prona, në 116 valë të privatizimit janë shitur në vlerë prej rreth 760 milionë euro.