Kryeministri dhe zëvendëskryeministri folën për zhvillime pozitive ndërsa po zhvillohet takimi i marrëveshjes për tregti të lirë, CEFTA në Beograd.
Albin Kurti, komentoi në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë heqjen e ndalesës për mallrat serbe, duke përsëritur se “Kosova nuk ka masa tregtare ndaj Serbisë”. Ai tha se “bëhet fjalë për masa të sigurisë, kurrsesi për masa tregtare, siç janë përpjekur disa që të na i mveshin”, ndërsa tregoi se sot po mbahet një takim i CEFTA-s
“Sot është një mbledhje e CEFTA-s, e cila tashmë ka filluar, ndërkaq të hënën është Samiti i Berlinit kur duhet të avancohet CEFTA në CRM, Comon Regional Market. Natyrisht që ne nuk kemi mundur ta hapim kufirin në të gjitha pikat kufitare, ndërkohë që nuk i kemi marrë ende skanerët”, tha Kurti.
Besnik Bislimi, ndërkaq, tha se se pritet që UNMIK-u të largohet përfundimisht nga përfaqësimi i Kosovës në CEFTA.
“Sot, mu në Beograd, do të votohet, me propozim të palës serbe, që UNMIK-u përfundimisht të largohet nga përfaqësimi në CEFTA. Unë e shoh këtë si zhvillim shumë pozitiv, sidomos meqë bëhet në Beograd, diçka që nuk ka ndodhur për shumë vite dhe shpresoj që kjo punë konstruktive e Serbisë e cila e kupton se realiteti ka ndryshuar, do të bartet pastaj edhe në dialog, në mënyrë që të bindin palët që Marrëveshja e Brukselit dhe ajo e Ohrit duhet të zbatohen në tërësi”, tha ai.
Gjermania e ka kërcënuar Kosovën me përjashtim nga marrëveshja për tregti të lirë, CEFTA dhe Procesi i Berlinit nëse nuk e heq ndalesën për mallrat serbe. I dërguari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin pati paralajmëruar se vendi rrezikon izolim të thellë.
Qeveria e Kosovës i ndaloi importet e mallrave nga Serbia në qershor të vitit 2023, si një masë sigurie pasi tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës ishin marrë nga forcat serbe. Më pas Beogradi i la ata të lirë pas presionit ndërkombëtar. Tash, Kosova e ka hequr ndalesën.
Sarrazin ka ofruar që Kosova të përfaqësohet në CEFTA me emrin e saj dhe jo përmes Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), në këmbim të heqjes së kësaj ndalese. Gjithsesi, ai ka theksuar se pranë emrit të Kosovës do të vendosej një yll, ose fusnotë, që tregon se statusi i vendit nuk është zgjidhur përfundimisht.







