Kurti: Duhet drejtësi për të lehtësuar dhimbjen e të mbijetuarve nga dhuna seksuale gjatë luftës

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kërkuar edhe njëherë që të dënohen personat nga forcat e policisë së Serbisë që kanë shkaktuar dhunë seksuale në Kosovë, gjatë luftës së fundit.

Sipas tij, drejtësia është e nevojshme për të lehtësuar vuajtjet dhe stigmën e heshtur të të mbijetuarve.

“Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt ne e rikujtojmë se deri tani askush nuk është dënuar për dhunimin e mijëra grave dhe burrave në Kosovë nga forcat e Serbisë në gjatë viteve 1998-1999. Drejtësia është e nevojshme për të lehtësuar vuajtjet dhe stigmën e heshtur të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës”, ka shkruar ai në rrjetin social Twitter.