Gjermani

Kurti dhe Osmani sot në Gjermani, çka pritet të diskutohet në Konferencën e Sigurisë në Mynih

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla do të udhëtojnë sot për në Mynih të Gjermanisë, ku do të marrin pjesë në Konferencën e Sigurisë.

Nga Zyra e Kryeministrit kanë bërë të ditur se, Kurti do të qëndrojë atje për tri ditë gjatë të cilave do të zhvillojë takime të ndryshme bilaterale.

Po ashtu nga Zyra e Presidentes Osmani është bërë e ditur se në margjina të MSC-së, Osmani do të zhvillojë një sërë takimesh dypalëshe me liderë të tjerë botërorë, si dhe me krerë të organizatave ndërkombëtare.

Zyra e presidencës ka njoftuar se Osmani do të marrë pjesë po ashtu edhe në panele diskutimi për çështjet e lidhura me sigurinë, duke përfshirë zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe sfidat e paraqitura për kombet demokratike në mbarë botën.

MSC është themeluar më 1963 dhe që nga atëherë është një forum i pavarur në të cilin promovohen zgjidhjet paqësore të konflikteve, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe dialogu.

Fjalimet kryesore në tre ditët e ardhshme do të mbahen nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Rusia përkundër nuk është e përfaqësuar me një delegacion zyrtar, që prej më shumë se 30 vjetësh.

Situata e sigurisë në Europë nuk ka qenë kurrë kaq kritike në këtë moment të takimit të ekspertëve e politikanëve më të njohur nga e gjithë bota në këtë konferencë tradicionale e mjaft të njohur në botë. Sinjalet e çtensionimit që u duk se mori me vete kancelari Olaf Scholz pas vizitës në Moskë të martën, duket se janë shuar sërish. Shqetësimi për një sulm rus është në rritje.

Antony Blinken pritet të jetë të premten në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku së bashku me ministren e Jashtme, Annalena Baerbock do të diskutojë në një podium të konferencës për krizën e Ukrainës. Kurse të shtunën në Konferencën e Sigurisë priten Scholz, Zelensky dhe Kamala Harris. Përveç kësaj ministrat e Jashtëm të fuqive demokratike do të diskutojnë veprimin e mëtejshëm në lidhje me krizën akute aktuael. Gjermania ka kryesinë e grupit të G7-s, ku bëjnë pjesë SHBA, Britania e Madhe, Franca, Italia, Kanadaja dhe Japonia.

Në Mynih pritet të jetë edhe edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe krerë të BE. Rusia i qëndron larg konferencës.