Kurti dhe Gërvalla të buzëqeshur një ditë pas zmbrapsjes nga veriu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar bashkatdhetarët, duke thënë se janë fuqi e madhe ekonomike e Kosovës.

Ai ka thënë se falë ndihmës nga diaspora është financuar lufta çlirimtare e po ashtu fal mërgatës edhe është arritur paqja sociale me remitencat e dërguara.

“Sipas Bankës Qendrore të Kosovës në 5 vjetët e fundit më shumë se 4 miliardë e gjysmë bashkatdhetarët tanë i kanë sjellë në Kosovë si dërgesa, ndërsa investimet janë më shumë se 1.5 miliardë dollarë gjatë kësaj periudhe. Bashkatdhetarët tanë kanë sjellë më shumë se 6 miliardë euro për 5 vjet. Kjo tregon çfarë fuqie e madhe ekonomike për vendin tonë janë ata. Ne jemi të interesuar që bashkatdhetarët tanë jo vetëm të vijnë këtu e të kontribuojnë duke sakrifikuar, por edhe të përfitojnë duke investuar. Andaj, me luftimin e korrupsionit në Kosovë, pra nuk do të ketë më as haraç edhe as ryshfet”, ka thënë Kurti, në “Karvanin e Diasporës” të mbajtur në Podujevë.

Kurti ka thënë se si Qeveri janë të interesuar që fëmijët e bashkatdhetarëve të mirëpriten sa më shumë në Kosovë dhe pushimin që e kanë ata ta shfrytëzojnë për ta mësuar gjuhën shqime më mirë e të njoftohen më shumë me kulturën e paraardhësve të tyre.

“Andaj ne besojmë që është i mundshëm integrimi pa asimilim, andaj me ministritë tona do t’ju ndihmojmë për këtë gjë. Në veçanti e kemi programin “Diplomacia qytetare”, sepse ne konsiderojmë që bashkatdhetari ynë është diplomati më i madh i Kosovës, çdo shqiptar që është në diasporë është ambasador i yni. Edhe ministrja jonë e Punëve të Jashtme ka jetu shumë e shumë vite në mërgatë, ajo është edhe vajza e heroit tonë kombëtar, Jusuf Gërvallës, andaj kjo është kryediplomatja jonë si një bashkatdhetare e juaja me shumë vite në mërgim. Andaj ju falënderoj që jeni mbledhur sot, do të jemi përherë bashkë, do të jemi gjithmonë pranë juve dhe kisha dashur që Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, poashtu t’ju drejtohet të gjithë juve me një fjalë rasti”, tha Kurti.

Kurti është parë i buzëqeshur dhe në disponim vetëm një ditë pas dështimit në veri për të implementuar vendimin për targat dhe dokumentet personale.