Kryeministri i Kosovës

Kurti: Deputetët më 17 shkurt 2008 e shpallën pavarësinë, Thaçi u nënshkrua dhe e lexoi deklaratën

Një video e publikuar nga Qeveria e Kosovës në prag të përvjetorit të 16-të të pavarësisë ka nxitur reagime të shumta, meqë në të nuk ishte përfshirë fare momenti historik i shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga atë botë kryeministri Hashim Thaçi.

Megjithatë kryeministri Albin Kurti në fjalimin e mbajtur sot në pritjen shtetërore të organizuar me rastin e përvjetorit të pavarësisë ka përmendur ish-kryeministrin Hashim Thaçi teksa ka rikujtuar historikun e ditës së 17 shkurtit 2008.

Kurti ka thënë se deputetët e Kuvendit të Kosovës me 17 shkurt 2008 e kanë shpallur Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik. Ai ka thënë se deklaratën e shpalljes së pavarësisë përveç 109 deputetëve, e kishin nënshkruar edhe krerët e institucioneve të asaj kohe, Fatmir Sejdiu, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi, duke specifikuar se Hashim Thaçi e kishte lexuar deklaratën e pavarësisë.

“Më 17 shkurt 2008 deputetët e Kuvendit të Kosovës si përfaqësues të popullit të zgjedhur në zgjedhje të lira dhe demokratike e shpallën Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Me votat dhe nënshkrimet e 109 vetave, që nënshkruan deklaratën e pavarësisë, dokumentit themeltar të shtetit tonë. Atë ditë mbi pergamenën e kuruar ku ishte shkruar deklarata e pavarësisë, krahas 109 deputetëve u nënshkruan edhe tre krerët e shtetit të sapo shpallur të pavarur, presidenti Fatmir Sejdiu, kryekuvendari Jakup Krasniqi dhe kryeministri Hashim Thaçi që e lexoi atë në Kuvend”, ka thënë Kurti në pritjen solemne.