Fituesi i zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë, Albin Kurti ka folur për dialogun me Serbinë, ku tha se kjo çështje rënditet e gjashta ose e shtata për nga përparësitë e qytetarëve.

Ai thotë se përparësitë e tij, pasi të vie në krye të Qeverisë së Kosovës janë puna dhe drejtësia.

Për gazetën e njohur “Le Temps”, Kurti tha se është i gatshëm të bëj një kompromis për ta vendosur këtë dialogun të tretin ose të katërtin në rendin e përparësive të tij.

“Kjo çështje renditet e gjashta ose e shtata mes përparësive të qytetarëve. Të gjitha sondazhet tregojnë se shqetësimet e tyre kryesore janë punësimi, ekonomia, drejtësia … Sidoqoftë, unë jam i gatshëm të bëj një kompromis për ta vendosur këtë dialogun të tretin ose të katërtin e përparësive të mia! BE dhe Ballkani janë shumë të rëndësishme për njëri-tjetrin, por më shumë sesa një treg të përbashkët, ne kemi nevojë për investime. Europa Juglindore po përjeton largim të trurit dhe BE duhet të na ndihmojë të ndalojmë këtë hemorragji. Vendet e Ballkanit Perëndimor do të integrohen një ditë dhe mendoj se duhet të jenë të gjitha në të njëjtën kohë. Nëse një prej këtyre shteteve hyn në BE para të tjerëve, ne përsëri do të kemi probleme, siç është rasti midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut”, tha Kurti.

Ai madje tha se integrimi nuk do të ndodhë në një të ardhme të afërt, dhe për këtë thotë se Bashkimi Evropian duhet të japë një afat në mënyrë që qytetarët e rajonit të kenë një shpresë.

“Integrimi nuk do të ndodhë në një të ardhme të afërt, por BE duhet të na japë një afat, në mënyrë që qytetarët e rajonit të kenë një shpresë. Ne gjithashtu duhet të rishikojmë procesin e Berlinit për ta shndërruar atë në një Plan të vërtetë Marshall, me theks në demokratizimin, shtetin e së drejtës dhe arsimimin e brezit të ti. Ish-presidenti Trump pëlqente “faktet dhe interesat” dhe ne duhet t’i shtojmë kësaj “vlerat dhe parimet”. Shpresoj që Brukseli dhe Uashingtoni të jenë në të njëjtën gjatësi vale për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, ashtu si edhe Berlini dhe Parisi. Na duhet ky sinkronizim i dyfishtë, ky është çelësi i suksesit”, tha Kurti.