Kurti bisedon me Chollet në telefon, konfirmon qëndrimin pro propozimit evropian

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, si vazhdimësi e mirëmbajtjes së një komunikimi të  rregullt, veçanërisht tani në prag të takimit të së hënës në Bruksel.

Kështu ka njoftuar Zyra e Kryeministrit nëpërmjet një komunikate për medie në të cilën thuhet se gjatë kësaj bisede, Kryeministri konfirmoi qëndrimin e tij për propozimin evropian si bazë të mirë për bisedimet e mëtutjeshme drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“Për marrëdhënie normale, evropiane e të fqinjësisë së mirë, Kryeministri Kurti theksoi që përveç njohjes reciproke në qendër të marrëveshjes, duhet t’i konsiderojmë edhe të drejtat e pakicave kombëtare. Kryeministri falënderoi z. Chollet për mbështetjen përgjatë procesit të dialogut dhe vëmendjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e posaçërisht të z. Chollet personalisht”, thuhet në komunikatë.

Sipas ZKM-së gjatë kësaj bisede, Chollet u njoftua nga Kryeministri që sot në Kosovë, bashkë me 12 gazetarët ukrainas, kemi shënuar njëvjetorin e agresionit duke përkujtuar viktimat por edhe luftën e drejtë çlirimtare të popullit ukrainas.