Kurti bisedon me ambasadorët për situatën politike para vendimit të Kushtetueses

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me Ministrin e Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, kanë pritur sot në takim ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Kurti i ka njoftuar ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, ambasadorin e Gjermanisë, Christian Heldt, ambasadoren e Francës, Marie-Christine Butel, ambasadorin e Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott, ambasadorin e Italisë, Nicola Orlando, dhe shefen e Zyrës së BE’së, Nataliya Apostolova, “mbi gjendjen aktuale në menaxhimin dhe parandalimin e COVID-19 si dhe mbi vendimet e fundit për lehtësimin gradual të masave”, bën të ditur një njoftim nga Zyra e Kryeministrit.

“Këto vendime kanë për qëllim rihapjen e ekonomisë, e cila sikurse shëndeti publik është rrezikuar e dëmtuar nga pandemia”, thekson njoftimi.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, palët diskutuan edhe “për situatën aktuale politike në Kosovë, gjersa presim aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Ambasadorët shprehën nevojën për stabilitet dhe demokraci në vend, përfundon njoftimi.