Kurti: Beogradi është në siklet pasi po kërkohet njohja reciproke nga Washingtoni, Berlini e Brukseli

Kryeministri Albin Kurti, tha se Beogradi është fajtor për mosmbajtjen e takimeve të nivelit të lartë që nga korriku i vitit të kaluar. Shefi i qeverisë kosovare tha se Beogradi është në siklet pasi Washingtoni, Berlini e Brukseli po kërkojnë marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë raporton Gazeta Express.

“Është e vërtetë që takimi bilateral me Beogradin zyrtar ka ndodhur në korrik të vitit të kaluar. Arsyeja që s’ka pasur takim duhet të kërkohet në Beograd dhe jo në Prishtinë pasi faktori kryesor që ata po i ikin bisedimeve për raportet mes Kosovës dhe Serbisë është përshkak se po e vonojnë formimin e qeverisë sepse nuk duan t’i vendosin sanksione Rusisë. Ne duam dialog për marrëveshje, jo dialog për dialog. Kjo marrëveshje në parim dhe në thelb është e qartë. Është marrëveshje ligjërisht e obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve e cila në qendër ka njohjen reciproke. E thotë Shtëpia e Bardhë me presidentin Biden, e thotë Departamenti I Shtetit me Sekretarin Blinken, e thotë Berlini zyrtar me kancelarin Scholz dhe e thotë Brukseli me Parlamentin Evropian dhe tash Beogradi është në siklet. Por ky nuk është sikleti ynë është I tyre, ne jemi të gatshëm të përgjegjshëm dhe cka do të ndodhë në të ardhmen po të varej nga ne është e qartë por nuk varet vetëm nga ne”, tha ai.

Kurti tha se ShBA dhe BE-ja duhet t’i bëjnë trysni Serbisë që ata të përcaktohen në raport me Kremlinin dhe invazionin rus në Ukrainë.

“Që nga 24 shkurti kur filloi invazioni rus në Ukrainë, në Serbi u rrit përkrahja për Kremlinin në dëm të integrimit evropian ata janë duke u përpjekur që ta vonojnë konstituimin e brendshëm që të vazhdojnë të ulen në 3-4 karrige dhe unë besoj që ky është faktori kryesor në raport me Brukselin me zhagitjet që I bënë Beogradit. Besoj se duhet të shtohet trysnia edhe amerikane edhe evropiane, pra trysnia transatlantike mbi Beogradin në mënyrë që ata të përcaktohen edhe për ata që nuk e kuptojnë se tashmë ata janë përcaktuar. Neutraliteti është cinizëm, nuk mund të jesh netural mes zjarrit dhe zjarrfikësit. Në luftën që po ndodh në Ukrainë, nuk mund të jesh neutral në mes Kremlinit dhe popullit ukrainas që po bën luftë çlirimtare. Besoj që pengesat shtesë që na u kanë shtuar këtë vit në bisedimet e Brukselit kanë të bëjnë me Beogradin I cili po e vonon konsolidimin e brendshëm në mënyrë që të mos detyrohet t’I vendosë sanksione Federatës Ruse. Nga 24 shkurti ata janë duke u përpjekur të zhagisin gjithkah”, tha Kurti.