Kurti bën thirrje për vaksinim: Kapërceni paragjykimet për vaksinat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje edhe një herë që qytetarët të vaksinohen kundër COVID-19.

Në një videomesazh ai ka thënë se sot u tejkalua administrimi i 1.6 milionë vaksinave, 64 përqind janë vaksinuar me një dozë dhe me dy doza mbi 56 përqind.

“Ata që kanë ende dyshime, ju bëj apel që për hir të shëndetit personal, të familjes dhe shoqërisë, t’i kapërcejnë paragjykimet për vaksinat”, ka thënë ai.

U ka bërë thirrje të posaçme prindërve dhe mësimdhënësve që t’i inkurajojnë sidomos të rinjve që të vaksinohen.

Ai ka shtuar që qytetarët ta shfrytëzojnë mundësinë e vaksinimit pa pasur nevojë për termin dhe në cilëndo komunë që ata duan.

Kurti e quajti gjendjen në Kosovë me pandeminë, më të mirën në rajon dhe Evropë.