Kurti bashkë me ministrin Sveçla në stacionin policor të Deçanit

Pas ceremonisë së varrimit të dy nxënësve që u vranë nga sulmi me armë zjarri në autobusin me nxënës në Gllogjan të Deçanit, Kryeministri i Kosovës, së bashku me zëvendëskryeministren, njëherit ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe ministrin i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe atë të Mbrojtjes, Armend Mehaj vizitoi stacionin e Policisë së Kosovës në Deçan.

Atje ai u takua me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti nga i cili i informua me të rejat më të fundit në lidhje me zbardhjen dhe zbulimin e rastit e vrasjes së trefishtë. Nga Drejtori i Policisë, Mehmeti u sigurua se janë duke u bërë përpjekjet maksimale që vrasësi apo vrasësit të kapën sa më parë.

Kryeministri u shpreh se nga vizita në stacionin e Policisë u njoftua se është shtuar numri i zyrtarëve të cilët janë angazhuar në hetimet dhe hulumtimet mbi rastin dhe se sasia e informacionit po rritet. Edhe pse fatkeqësisht ende nuk e kemi të dyshuarin apo të dyshuarit në emrin apo emrat e tyre të përveçëm, kryeministri Kurti tha se përpjekjet dhe angazhimi janë shtuar në mënyrë vrasësi apo vrasësit të identifikohen dhe të sillen para drejtësisë sa më parë.

Sot gjatë ditës Qeveria e Republikës së Kosovës ka dhënë njoftimin se ofron 20 mijë euro shpërblim për informacione që mundësojnë arrestimin e autorit të vrasjeve në Deçan. Qytetarët mund ta bëjnë këtë në numrat e telefonit 0800 199 99 apo 192 dhe adresën elektronike [email protected] Thirrjet në këta numra të telefonit janë pa pagesë për të gjithë qytetarët dhe policia do ta ruajë strikt të drejtën e anonimitetit apo fshehtësisë së identitetit, përveçse nëse personat vetë, pra vullnetarisht, deklarohen ndryshe.

Deklarimi i plotë e Kurtit:

Pas varrimit të Gentianës dhe Ledionit erdhëm të gjithë që ishim aty varrim nga Qeveria e Republikës së Kosovës, pra unë me zëvendëskryeministren Gërvalla dhe ministrat Sveçla dhe Mehaj këtu në stacionin e Policisë në Deçan ku u takuam me Drejtorin e Policisë, z. Samedin Mehmeti i cili po qëndron këtu tani. Ai më siguroi që janë duke i bërë përpjekjet maksimale. Natyrisht është në dijeni që tash kemi ofruar edhe shpërblimin prej 20 mijë euro për këdo që jep informacion që shpije në zbardhjen e në zbulimin e këtij rasti shumë të rëndë të vrasjes së trefishtë.

Në anën tjetër mësova që i kanë shtuar përpjekjet. Po rritet sasia e informacionit. Mirëpo fatkeqësisht ende nuk e kemi zgjidhjen kur jemi në prag të 48 orëshit. Por nuk po mungon angazhimi dhe është shtuar numri zyrtarëve të cilët po merren me hetimin e me hulumtimet në mënyrë që i gjithë populli i Kosovës, e në veçanti familjet dhe të afërmit të prehen të qetë duke e sjellur para drejtësisë vrasësin ose vrasësit. Edhe më tej kemi dy, eventualisht, tri pista.

Momentalisht ende nuk e kemi të dyshuarin, të pandehurin. Porsa të kemi informacione për këtë me siguri që do të ju njoftojmë. Po rritet sasia e informacionit që po marrim, me hulumtimin e hetimin që po bëhet edhe nga vendi i ngjarjes, po sidomos nga marrja në pyetje e dëshmitarëve, por nuk e kemi emrin ose emrat e përveçëm të vrasësit.