Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se rajoni i Ballkanit Perëndimor do të stabilizohet vetëm kur të zbehet ndikimi rus, veçanërisht në Serbi dhe Republika Sërpska. 

“Brenda gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk ka as vullnet e as kapacitet për dhunë ndërshtetërore. Problematike është ndikimi hibrid i Rusisë përmes energjisë, ushtrisë dhe mediave. Ndryshimet e vërteta varen nga forcat demokratike në Serbi”, ka thënë Kurti në një intervistë për mediumin zviceran “NZZ”. 

Kurti ka thënë se Kosova do të ndajë një miliard euro për mbrojtje. 

“Do të krijojmë baza industriale, ndër të tjera me një fabrikë municioni në Gjakovë”, ka deklaruar Kurti. 

Ai ka thënë se Kosova e ndjek një model të Suedisë dhe shteteve baltike në organizimin e forcave të armatosura. 

“Në organizimin e forcave tona të armatosura orientohemi më shumë nga modelet e Suedisë dhe shteteve baltike, veçanërisht në konceptin e mbrojtjes gjithpërfshirëse. Pozita e tyre është e qartë: Kur ke një fqinj të madh, duhet të mendosh ndryshe”, ka theksuar Kurti. “Ne nuk mund të përballojmë kaos përballë një kërcënimi. Na duhet rend i qartë. Çdo qytetar dhe qytetare duhet të dijë saktësisht se çfarë roli merr në rast katastrofe apo lufte”. 

Ai po ashtu përmendi edhe modelin e Polonisë, për “trajnime të përgjithshme sigurie për të gjithë, veçanërisht për t’i trajnuar të rinjtë”. 

Kurti ka thënë se orientimi i Kosovës është i qartë: Perëndimi. 

Ai ka thënë se Kosova dëshiron të anëtarësohet në NATO dhe Bashkim Evropian. 

“Ne duam të bëhemi anëtar të NATO-s. NATO aktualisht ndodhet në një fazë riorganizimi dhe ne duam pos të përfitojmë edhe të kontribuojmë. Po krijojmë një forcë rezervë vullnetare, kemi dyfishuar numrin e ushtarëve, trefishuar shpenzimet për mbrojtje dhe katërfishuar trajnimin e oficerëve tanë në kuadër të NATO-s. Kosova duhet dhe do të jetë në gjendje të mbrohet vetë. Ne nuk e shohim veten si forcë e izoluar, por si pjesë e NATO-s. Prandaj po sigurojmë pajisje ushtarake nga shtetet e NATO-s – nga armët antitank deri te dronët dhe artileria mobile. Ushtria jonë po merr kapacitete modern në këto fusha”, tha Kurti. “Ne nuk balancohemi mes Lindjes dhe Perëndimit. Ne jemi qartësisht të përkushtuar ndaj vlerave të demokracisë perëndimore. Duam të hyjmë në BE dhe NATO”.

Kurti ka thënë se nga Turqia, që është anëtare e NATO-s, Kosova ka blerë dronë Bayraktar TB2 e po ashtu sisteme tjera. Ndërsa për Rusinë, tha se Kosova ka pasur gjithmonë një distancë të shëndetshme.