Kurti akuzoi politikanët për rehabilitimin e Vuçiqit, por harroi se vetë e shpalli të pafajshëm ministrin e propagandës së Millosheviqit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në maj të këtij viti e kishte amnistuar presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, duke thënë se ai ishte Ministër i Informimit i Sllobodan Millosheviqit, megjithatë ai mendon se Millosheviqi kurrë nuk e ka konsultuar Vuçiqin.

“E dimë shumë mirë se Presidenti i Serbisë ishte Ministër i Informimit i Sllobodan Millosheviqit. Por, unë mund ta imagjinoj se Millosheviqi kurrë nuk e ka konsultuar Vuçiqin. Pra. Nuk duhet të jetë e vështirë për Vuçiqin që ta distancojë veten nga Millosheviqi, i cili asnjëherë nuk e ka konsultuar atë”, kishte thënë Kurti, përcjell Demokracia.com.

Por, ish-diplomati amerikan, William Walker, muaj më parë kishte deklaruar se përpjekja e zyrtarëve në Serbi për ta prezantuar masakrën e Reçakut si një ngjarje të trilluar, bëhet për shkak se disa zyrtarë aktualë në Beograd kanë qenë të përfshirë në krime kundër popullatës civile në Kosovë, duke e përmendur edhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Ai e bën përgjegjës presidentin serb për “rol të rëndësishëm” në fshehjen e krimeve që forcat serbe të sigurisë kanë kryer ndaj popullatës civile në Reçak, por edhe në pjesë të tjera të Kosovës.

“Disa nga njerëzit që sot janë duke e propaganduar [masakrën e Reçakut] si ‘një gënjeshtër të madhe’, kanë qenë në fakt të përfshirë në fshehjen e saj që nga fillimi. Mendoj se presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, është shembull shumë i mirë. Ai ka qenë ministër i Informimit në kohën e Sllobodan Millosheviqit. Ai ka qenë pjesëmarrës në vendimmarrjen e asaj kohe”, kishte Walker për Rel.

“Ai [Aleksandar Vuçiq] ka qenë i përfshirë që nga fillimi në përpjekjen për të mbrojtur të pambrojturën, e që është fakti se forcat e sigurisë së Serbisë nuk kanë qenë të përfshira në vetëm atë që ka ndodhur në Reçak, por kanë qenë të përfshira në shumë masakra dhe krime kundër njerëzimit”, ka thënë Walker. /Demokracia.com/