LDK

​Kurthi i Qeverisë Kurti, LDK: Kosova mbetet me sanksione, s’ka perspektivë për qytetarët

Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon të mbahen zgjedhjet parlamentare për ta nxjerrë vendin, siç shprehen nga ky subjekt politik nga kurthi i Qeverisë Kurti. Ky kurth sipas LDK-së, e ka bërë të paqartë perspektivën e vendit për qytetarët.  

Sipas kësaj partie, Kosova vazhdon të mbetet e sanksionuar nga Bashkimi Evropian me një ngadalësim të zhvillimit për vendin dhe rritje të numrit të qytetarëve që po e braktisin vendin.  

Zyrtarë nga kjo parti theksojnë se LDK-ja ka ofruar platformën “Rruga e Re” me 100 projekte zhvillimore, e cila sipas tyre, do të jetë një program qeverisës i LDK-së që i hap rrugë vendit për integrim dhe anëtarësim në NATO.  

Berat Rukiqi zyrtar nga ky subjekt politik thotë për KosovaPress, se Kosova është duke u përballur me migrim të madh si pasojë e keqqeverisjes nga Vetëvendosje. 

Rukiqi po ashtu ka kritikuar Qeverinë Kurti se deri tani nuk ka asnjë projekt madhor në zhvillim, dhe sipas tij, bizneset janë në krizë si rrjedhojë edhe rënies së investimeve kapitale. 

“Kemi një kurth për zhvillim, kemi një pengesë të madhe, e cila ka shkaktuar ngecje në zhvillimin e vendit dhe kjo sikur e ka bërë të pa qartë perspektivën e vendit. Dhe kjo paqartësi e paparashikueshme për perspektivën e vendit, sot ka detyruar shumë qytetarë të migrojnë. Kemi parë edhe statistikat, dhe sipas parashikimeve, Kosova nuk do të ketë më shumë se 1.5 milion banorë… Pra duke parë këtë trend mjaft negativ për vendin duke ikur qytetarët nga vendi, duke parë që bizneset janë në krizë dhe tregu po zvogëlohet si për nga fuqia blerëse ashtu dhe një shkallë mjaft e ulët e investimeve kapitale dhe qeveria nuk e ka asnjë projekt të madh siç është rasti me energji elektrike. Kështu duke parë krejt këtë fotografi të moszhvillimit të vendit kemi ardhur deri te kjo platformë(Rruga e re)”, thekson ai. 

Ai ka dhënë detaje nga platforma, duke thënë se kjo i hapë rrugë vendit për integrim evropian dhe anëtarësim në NATO.  

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Rukiqi thekson më tej se të gjitha projektet janë me karakter zhvillimorë: për investime në ushtri, arsim dhe shëndetësi. 

“Platforma synon të jetë program qeverisës i LDK-së. Ne besojmë se të gjitha ato grupe të shoqërisë që dëshirojnë me parë vendin në progres, të integruar në BE, në NATO dhe në hap me vendet tjera të zhvilluara do t’i besojnë këtij programi ne kemi identifikuar dhe specifikuar 100 projekte kryesor në sektorë  të ndryshëm…Normalisht synimet janë, një vend i zhvilluar, vend i jetueshem për qytetarët dhe një vend me rritje ekonomike stabile”, thekson ai. 

Rukiqi ka folur për zgjedhjet, për centralin me gaz, si dhe për mbështetjen e qytetarëve, në këtë rast për programin për fëmijën e tretë me nga 5 mijë euro. 

“Absolutisht ne jemi të gatshëm në çdo kohë të hyjmë në zgjedhje, kemi tani një program…. Gëzohem që është bërë temë diskutimi çështja e ofrimit të një shume për fëmijën e tretë, dhe jo vetëm kjo, aty është edhe një vit i kompensimit për ushqime dhe gjëra tjera bazike për gjithë fëmijët të porsalindur… 15:42) Çështja e sigurisë kombëtare, dhe a mund të jetë një vend i sigurt nëse nuk ka pavarësi energjetike. Ne fillimisht e kemi trajtuar në këtë aspekt, dhe si sektor i veçantë që është e rëndësishme për siguri kombëtare për vendin. Kështu kemi ardhur në konkluzion që nuk mund të ketë vendi tranzicion energjetik ekstrem, nga 90 për qind e energjisë me thëngjill në energji të ripërtritshme… Dhe duke u bazuar në këtë, ne kemi propozuar centralin me gaz, qe përveç tjerash ka rëndësi edhe strategjike, për shkak se gazi do të jetë amerikan, i lëngshëm, që vjen nga Greqia, pastaj në rrjetin ekzistues deri në Maqedoni të Veriut… Ky është projekti i rëndësishëm…. Pastaj është një miks i energjisë që garanton stabilitet, garanton siguri kombëtare, furnizim, çmime të përballueshme për qytetarët e vendit, si dhe nxitë investime të rëndësishme që janë shumë të nevojshme për ekonominë tonë”, thekson ai. 

Në fund Rukiqi ka thënë se Qeveria ka marrë rolin e propaganduesit sa i përket trendeve ekonomike në vend, dhe për më tepër është bërë kërcënuese për bizneset.  

Ai numëroi po ashtu ngecjet në ekonomi, duke thënë se ka rënie të eksporteve në këtë periudhë dhe rritje jo më të madhe ekonomike se 2 për qind. 

“Qeveria çdo ditë i linçon dhe kërcënon ndërmarrësit. Kjo Qeveri nuk ka bërë asnjë politikë, vetëm se i ka vështirësuar punën sektorit privat, kjo shihet edhe me rënien e investimeve kapitale. Këto janë manipulime, kryeministri e ka marrë atë rolin propaganduesit kinse sukseseve”, thotë ai. 

Me platformën “Rruga e Re”, LDK ka paraparë buxhet 4.5 miliardë euro deri në fund të mandatit, qendër të re spitalore në Prishtinë, ndërtimin e stadiumit kombëtar në Prishtinë, sigurime shëndetësore, 200 milionë euro buxhet për ushtrinë, katër kazerma ushtarake, si dhe projekte të tjera.