Kurteshi: Nuk ka gjasa për viza as këtë vit

Kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se Kosova nuk e ka larg vendimin për liberalizim të vizave me Bashkimin Evropian (BE), ndonëse shumë shtete anëtare nuk janë deklaruar pro kërkesës së vendit për lëvizje në Zonën Schengen.

Franca, Holanda, Finlanda,…, ende kanë dilema nëse do ta votojnë pro liberalizimit të vizave për Kosovën në Këshillin e Ministrave të BE-së, përderisa Bullgaria, Sllovakia e Lituania kanë konfirmuar për “Zërin” se do ta përkrahin vendin në këtë proces.

Megjithatë, derisa shumë shtete me ndikim në BE kanë pikëpyetje për çështjen e vizave për Kosovën, zyrtarët shtetërorë në Prishtinë nuk po lobojnë sa duhet tek ato për t’i bindur shtetet skeptike.

Deputeti i Vetëvendosjes Ismail Kurteshi, njëherësh edhe anëtar në Komisionin Parlamentar për Integrime Evropiane, është shprehur për gazetën “Zëri” se Kosova mund ta kalojë edhe këtë vit pa liberalizim të vizave.

“Nuk ka ndonjë shenjë që po vjen prej Evropës e që është optimiste në këtë drejtim. Çështja për të hyrë në agjendë është diskutuar kaherë, mirëpo ajo që është e rëndësishme është se nuk po bëhet realitet, nuk janë gjasat e mira që këtë vit kjo çështje të zgjidhet dhe qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm”, ka thënë Kurteshi.

Sipas tij, korrupsioni po vazhdon të jetë sfida kryesore e heqjes së vizave për Kosovën gjë e cila po krijon skepticizëm te shtetet anëtare të BE-së për të votuar pro liberalizimit. Ai shton se nëse nuk ka luftë të ashpër ndaj kësaj dukurie lobimi i Kosovës te këto shtete nuk mjafton.

“Mendoj se Kosova nuk po bën as përafërsisht çfarë duhet të bëjë për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, që janë kushtet e para për liberalizim të vizave, sado që te ne nuk po përmendet sa duhet. Mendoj që Evropa është shumë mirë e informuar për situatën në Kosovë dhe nëse shteti i Kosovës nuk i shpall luftë të vazhdueshme kësaj dukurie, atëherë lobimi për vizat është pa efekt”, ka potencuar Kurteshi.

loading…