Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë të gjatë për media të hënën në Prishtinë, ka hedhur akuza të rënda drejt Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, duke e pozicinuar në anën e Serbisë e kundër Kosovës.
Megjithatë, duke qenë se udhëheqjen e procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë nën ndërmjetësimin e BE-së e kishte marrë përsipër ish-presidenti Hashim Thaçi, në kohën kur ai e kritikonte qasjen e Lajçakut, kryeministri Kurti e kritikonte ish-presidentin Thaçi.
Kryeministri Kurti ka sugjeruar të hënën se figura kryesore që punon kundër vendit të tij është diplomati 60-vjeçar, i cili, sipas tij, ka filluar të dalë jashtë margjinave të mandatit të tij të ndërmjetësimit, por kur ish-presidenti Thaçi e kritikonte Lajçakun, kryeministri Kurti i kundërvihej, madje duke e cilësuar edhe “anti-evropian”.
“Lajçak duhet ta kuptojë se Kosova është e pavarur dhe sovrane. Nëse vjen me këtë objektivë dhe me këtë qasje që ky proces të mbyllet me njohje reciproke është shumë i mirëseardhur. Çdo qasje tjetër, lirisht mund të themi se është dështim i plotë i tij në Kosovë”, deklaronte ish-presidenti Thaçi, përcjell AP.
“Presidenti është anti-evropian. Pikërisht në kohën kur presidenti aktual i Kosovës deklarohet hapur anti-evropian, disa më akuzojnë mua padrejtësisht për anti-amerikan. Kosova është në Ballkan, në kontinentin evropian e jo në kufijë me Meksikën. Presidenti po sillet shumë më keq me BE-në sesa me Serbinë”, kundërpërgjigje kryeministri Kurti.
Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës për dështimin e raundit të ri të negociatave për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e BE-së është i qartë – Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, tanimë është “pozicionuar” kundër interesave të Kosovës e në favor të politikës së Serbisë.







