Kur ndodh takimi tjetër, veç edhe pak ditë kohë ka mbetur

Të enjten pritet të mbahet seanca konstituive, ndërkaq LVV-ja dhe LDK-ja ende nuk janë marrë vesh për arritjen e marrëveshjes finale. Asnjëra prej partive nuk kanë njoftuar zyrtarisht se kur do të ndodhë përballja e radhës mes liderëve të subjekteve negociuese, megjithëkëtë deri te mbledhja konstituive palët tashmë pritet t’i bëjnë orvatjet e fundit për t’i kapërcyer ndasitë ekzistuese

Ka mbetur vetëm edhe një ditë deri te seanca për konstituimin e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës. Pavarësisht kësaj LVV-ja dhe LDK-ja ende nuk kanë lidhur marrëveshje për bashkëqeverisje. Takimi i fundit mes palëve negociuese, i bërë publik për medie, është mbajtur më 20 dhjetor, megjithëkëtë zyrtarë të LDK-së kanë thënë për gazetën se krerët e dy subjekteve janë takuar edhe gjatë ditës së djeshme.

Ndërkohë asnjëra prej partive nuk ka njoftuar zyrtarisht se kur do të ndodhë ballafaqimi i radhës mes liderit të Vetëvendosjes Albin Kurtit dhe atij të LDK-së Isa Mustafës. Sidoqoftë, burime brenda dy subjekteve i kanë thënë gazetës se përballja e radhës mes liderëve të partive negociuese mund të ndodhë gjatë ditës së sotme. Se do të ketë komunikime të vazhdueshme me LDK-në ka pohuar edhe lideri i LVV-së Albin Kurti. Në anën tjetër nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë thënë se janë të gatshëm të ulen për të diskutuar me LVV-në që momentin kur kjo dërgon ftesën për takimin e ardhshëm.

Deri më tani asnjëra prej palëve nuk ka lëvizur nga qëndrimet e betonuara rreth postit të presidentit. LDK-ja po kërkon që kjo pozitë t’i garantohet këtij subjekti, ndërkaq LVV-ja po e kundërshton fuqishëm një opsion të tillë.