Kur Mercedes-AMG G63 i ri kalon “në duart” e rusëve… (FOTO)

Ashtu edhe siç mund të pritej, kompania e njohur ruse që merret me modifikimin e veturave, TopCar, është marrë edhe me versionin më të ri të modelit G63 të Mercedes-AMG-së.

Fillimisht, TopCar, për këtë G63 ka zgjedhur paketën e re për aerodinamikën të bërë nga fibra të karbonit, set të ri të rrotave si dhe sistemin e ri të shkarkimit të gazrave.

Gjithashtu, kjo kompani për më vonë do të sjellë edhe paketën për modifikimin e interierit të kësaj “bishe” si dhe paketën për përforcimin e motorit të saj 4.0-litër Bi-Turbo V8 i cili standard është me kapacitet prej 430 kW/585 kuajfuqi.

Modeli në këto fotografi, ndër të tjera, vjen edhe me disa elemente tjera nga fibra të karbonit duke përfshirë mbrojtësin e përparmë shtesë (spoiler), mbrojtësit anësorë, vrimat për ajër në kofano, pragjet, mbrojtësin e pasmë shtesë (difuzer) dhe mbrojtësin tjetër shtesë (spoiler) mbi çati.

Ky G63, po ashtu, vjen me eksterier me ngjyrë të gjelbër metalike, rrotat me ngjyrë të zezë, si dhe me logon “TopCar” të vendosur në maskën e përparme dhe mbulesën e gomës rezervë.